Luan me plumb në kokë

Mendimet e para pas daljes nga koma ishin menjëherë rreth futbollit. Ende nuk janë bërë dy javë prej kur ishte qëlluar në kokë, por sulmuesi paraguaian, Salvador Cabanas, mendon rreth rikthimit në stërvitje dhe përgatitjes për Kampionatin Botëror, ka thënë presidenti i klubit të tij meksikan, Club America. 29-vjeçari, Cabanas, ishte qëlluar në një lokal në Mexico City, në orët e hershme të 25 janarit, pas një zënke me një person, ndërsa policia ende ka gjetur të dyshuarin.
“Kjo është ajo çfarë ai mendon, ai ka biseduar me doktorin dhe është lajm i mirë, sepse e motivon”, tha presidenti i Club America, Michel Bauer për Televisa.
“Ai tashmë dëshiron të jetë në stërvitje, si dhe të planifikojë Kampionatin Botëror”, shtoi ai, për sulmuesin i cili luajti rol të rëndësishëm në kualifikimin e Paraguait, për herë të katërt me radhë, në një kampionat botëror. Gara më e rëndësishme e futbollit ndërkombëtar zhvillohet në Afrikën e Jugut dhe fillon më 11 qershor. Cabanas kishte një operacion të gjatë, pas incidentit, por kirurgët nuk ishin në gjendje t’ia largonin plumbin, të cilin ende e ka në tru. Vikendin e kaluar, Cabanas filloi të flasë dhe në televizion përcolli ndeshjen e Club Americas në Kampionatin e Meksikës, fitoren 1-0 të cilën bashkëlojtarët ia dedikuan atij.
“Salvador është në gjendje të mirë, e di se të gjithë dëshirojnë të dinë nëse do të luajë në Kampionatin Botëror, por është e pamundur të bëjmë parashikime. Ende nuk mund të themi”, tha Aldo Martinez, kreu i stafit mjekësor në Kombëtaren e Paraguait.
Cabanas ka marrë përkrahje të madhe në Meksikë dhe vendlindjen e tij. Fatkeqësisht, një javë pas incidentit, bashkëlojtari i tij nga Club America, Juan Carlos Silva, ishte qëlluar në prapanicë, në një tentim plaçkitje. Megjithatë, drejtori sportiv i klubit, Jaime Ordiales, ka thënë se plumbi ka dal nga trupi i futbollistit dhe ai nuk është nën rrezik. “Ai është kontrolluar nga stafi mjekësor dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim të rëndë”, tha Ordiales.
Ndërkohë, të gjithë tifozët paraguaianë shpresojnë që Cabanas të jetë në gjendje të udhëheq sulmin e Kombëtares në Kampionatin botëror. Paraguai gjendet në grup me Italinë, Sllovakinë dhe Zelandën e Re.