Mancini e do Balotellin

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka konfirmuar interesimin e tij për sulmuesin e Interit, Mario Balotelli. Strategu italian, i cili ndihmoi zhvillimin e tinejxherit në Giuseppe Meazza, ka thënë se do ta transferonte atë menjëherë në Eastlands. Balotelli nuk ka vend të sigurt në ekipin e Jose Mourinhos, me të cilin në mesjavë kishte pasur një konflikt verbal, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Fiorentinës.
I pyetur nëse Mancini do të ishte i interesuar në transferimin e Balotellit, ai konfirmoi dëshirën e tij ta sjellë në Manchester. “Me dëshirë do ta transferoja menjëherë. Mario ka potencial të një futbollisti të klasit botëror, e sidomos duke pasur parasysh moshën e tij, pasi tashmë është në gjendje të bëjë dallimin në ndeshje. Nuk mund të flas për sjelljen e tij aktuale, por kurrë nuk kam pasur arsye të ankohem gjatë punës me të”, tha Mancini, për të përditshmen italiane La Repubblica. Mancini ishte trajner i Interit nga 2004-2008.