E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA, sulm terroristëve

 

VLORE – Specialët e RENEA-s “çlirojnë” një prej trageteve të marrë peng nga forcat terroriste në Vlorë. Ata morën pjesë në një operacion stërvitor, ku u mobilizuan rreth 80 forca shqiptare dhe të policisë franceze. Dëshmitarë të këtij improvizimi ishin dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, përfaqësues të strukturave të policisë, të pushtetit vendor, si dhe të trupit diplomatik. Gjatë operacionit forcat RENEA janë rreshtuar për të përmbushur veprimet e një ndërhyrjeje në tragetin “Veronika”. Ata kanë hyrë nëpërmjet shkallëve nga një gomone në traget, mbështetur nga forca të tjera që kanë ndihmuar operacionin nga porta hyrëse e tragetit, helikopterët dhe zhytësit. Forcat speciale në një situatë stimuluese kanë nxjerrë në pak minuta një grup terrorist, të cilët janë shoqëruar nga mjetet drejt ambienteve të portit. Drejtori Prençi tha se në këtë operacion janë mobilizuar rreth 80 forca, të cilat kanë si synim ndërhyrjen e shpejtë në situata risku. Ai ka falënderuar forcat speciale dhe ndërhyrjet në kohë, si dhe ka vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm me specialistët francezë. Aksioni i shpëtimit është kryer nga ajri me helikopter si dhe nga deti me anije ushtarake, motovedeta dhe skafe. Trageti ka qenë i pozicionuar larg pikës portale, ku dhe janë kryer të gjitha veprimet e ndërhyrjes në traget, me qëllim shpëtimin e pasagjerëve nga elementë terroristë. Aksioni ka vazhduar për rreth 1 orë e 30 minuta.                  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›