E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, “1 maji” e përmbytur

 VLORE - Banorët e pallateve katërkatëshe në lagjen “1 Maji”, sapo dalin nga banesat përballen çdo ditë me rrugët e shkatërruara, gjithë gropa e baltë. Kjo lagje përmbytet sa herë që bie shi, ndërsa ankesat e vazhdueshme të qytetarëve kanë rënë në vesh të shurdhër. Në brendësi të lagjes, rrugët janë krejtësisht të amortizuara, ndërsa gjithandej syri të zë mbeturina. Banorët ankohen se sa herë bie shi, katet e para përmbyten, ndërsa mjaft njësi tregtare pësojnë dëme të konsiderueshme. “Kemi tre vjet që përmbytemi sa herë që bien reshje dhe askush nuk merr masa për hapjen e kanalizimeve të qarkullimit të ujërave të bardha. Na është bërë jeta e vështirë në këtë lagje, por edhe pse jemi ankuar në bashki dhe prefekturë disa herë, askush nuk ka marrë masa”, u shprehën banorë të kësaj lagjeje. Bashkia pranoi situatën e krijuar, por ajo e justifikoi këtë me faktin se zona është nën nivel dhe nëse nuk punon hidrovori, lagjja pëson përmbytje. Në raste të përmbytjeve, ujërat e bardha bashkohen me ato të zeza, duke sjellë kaos për banorët. Ata i bëjnë thirrje bashkisë të ndërhyjë për të përmirësuar këtë situatë, e cila sipas tyre është mjaft e rëndë në çdo stinë dimri.                      q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›