E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpronësimi nga HEC i Kalivaçit,banorët bllokojnë rrugën nacionale

 TEPELENE - çmimi i ulët i ofruar si kompensim për tokat që do përmbyten nga Hidrocentrali i Kalivaçit, ka hedhur në protesta banorët e fshatrave të Tepelenës. Këta të fundit kanë bllokuar dje aksin nacional Memaliaj-Mallakastër si shenjë presioni ndaj qeverisë. Në orët e mesditës së djeshme, banorët e fshatrave Kalivaç, Lopës dhe Iliras kanë bllokuar për 45 minuta me lëndë drusore dhe mjete të tjera rrethanore qarkullimin e automjeteve. Banorët kanë dalë në rrugë për të protestuar me pretendimin për t’u kompensuar në mënyrë të merituar nga ana e egzekutivit shqiptar për tokat e tyre, të cilat do të vihen në dispozicion të ndërtimit të veprës më të madhe energjetike në jug të vendit. Sipas banorëve të fshatrave, çmimet e përcaktuara nga qeveria për shpronësimin në kuadrin e ngritjes së këtij hidrocentrali janë të gabuara dhe nën koston reale të vlerës së çmimit të tokës. Sipas tyre, çmimi 80 cent për metër katror është i papranueshëm dhe tallës dhe rrjedhimisht do të kundërshtohet deri në momentin e ndryshimit të kësaj kuote. Për këtë, ata kanë kërkuar medoemos që nëse qeveria ka ndër mend ta ndërtojë këtë vepër, të rivlerësojë patjetër çmimet e tokave të tyre për kompensim. Nga ana tjetër, banorët kanë paralajmëruar edhe përshkallëzim të mëtejshëm të protestës së tyre, nëse nga qeveria nuk do të ketë një përgjigje të shpejtë rreth kërkesave që ata kanë paraqitur gjatë protestës së djeshme, madje kanë kërcënuar edhe me bllokimin e rrugës nacionale Memaliaj-Mallakastër në një afat më të zgjatur duke u shtrirë përdhe. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›