Meta: Mediu në Qeveri? Nuk vëmë kushte për partitë e tjera
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i pyetur mbrëmë në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” lidhur me përfshirjen e Fatmir Mediut në qeverinë Berisha, një ish-ministër i cili është në ndjekje penale, u shpreh se kjo është çështje e PR-së. “Kjo është çështje e Partisë Republikane. Ne mbështesim organet e Prokurorisë për të dhënë qëndrimin e tyre në mënyrë të pavarur për çështjen ‘Gërdeci’. Kjo është një akuzë politike, por në fund të fundit është betejë e drejtësisë që të japë verdiktin e saj rreth kësaj çështjeje dhe nuk mundet LSI të vendosë kushte për anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar. PD-ja ka detyrimet e saj për të gjitha partitë që kanë qenë në koalicion zgjedhor me të”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së e ka cilësuar bojkotin e Kuvendit nga ana e deputetëve të PS-së si të pajustifikuar. “Qëndrimi i lidershipit të PS-së për bojkotin e Parlamentit është i pajustifikuar. I gjithë procesi zgjedhor është hartuar dhe drejtuar për herë të parë nga një parti opozitare, si Partia Socialiste. Deri tani nuk ka asnjë provë bindëse ndaj pretendimit të saj për manipulimin e votës. PS-ja ka pasur komisionerët e saj në të gjitha nivelet. Situata konfliktuale e bojkoteve vjen për shkak të problematikës së brendshme që lidhet me një nen të statutit të saj. Shkelja e këtij neni nga ana e zotit Rama, që nuk pranon t’i hapë rrugë reformimit të PS-së pas humbjes së zgjedhjeve, ka çuar të gjithë partinë në qëndrime të tilla që të kujtojnë vitin ’96.