E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD tentojnë votimin e Kodit Zgjedhor

 

BLEDAR HOTI

Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare do të vendosë që votimi i Kodit të ri Zgjedhor të realizohet në seancën e sotme parlamentare. Burime pranë të dyja kampeve të PS-së dhe PD-së bëjnë të ditur, se ligji i ri zgjedhor mund të votohet pikërisht në seancën e pasdites së sotme, duke tentuar kalimin sa më shpejtë të tij. Konferenca e krerëve PS-PD pritet të kërkojnë ndryshimin e rendit të ditës, duke zhvendosur miratimin e projektbuxhetit të vitit 2009 për ditën e enjte. Ndërsa nuk është përcaktuar ende qëndrimi, që do të mbajë konferenca e kryetarëve për 10 deputetët, që ndodhen në ditën e shtatë të grevës së urisë, të ngujuar pikërisht në vendin ku zhvillohen seancat parlamentare. Sipas burimeve, mësohet se ideja për ta votuar me urgjencë Kodin e ri në seancën e sotme ka ardhur pikërisht nga lidershipi i PS-së, i cili u ka kërkuar drejtuesve të PD-së, që ta realizojnë sot një veprim të tillë. Konferenca e kryetarëve pritet të mblidhet paraditen e sotme për të përcaktuar axhendën e seancës parlamentare. Burime nga PS, bëjnë të ditur se Edi Rama nuk do të pranojë negociata për një formulë të re për komisionet zgjedhore, ndërsa Berisha ka deklaruar se do të negociojë vetëm me PS.
Reagimi i LSI-së
Të njohur me këtë ide të PS-së dhe të PD-së, mësohet se 10 deputetët grevistë janë të vendosur për të përshkallëzuar protestën e tyre në moslejimin e votimit të Kodit Zgjedhor. Zëdhënësi i grevës së urisë, deputeti i LSI-së, Dritan Prifti deklaroi për "Panorama" se deputetët do ta vazhdojnë grevën e urisë edhe nëse Kodi Zgjedhor do të miratohet në seancën e sotme. "Nëse PD dhe PS vendosin me arrogancë konsensuale të miratojnë Kodin zgjedhor pa ndryshimet e domosdoshme, greva jo vetëm do të vazhdojë në parlament, por ajo do të zgjerohet e fuqizohet edhe përpara parlamentit si dhe do të zgjerohet në të gjithë vendin.
Ne kurrë nuk do të pranojmë shkeljen e parimeve ndërkombëtare për zgjedhje të ndershme dhe të lira. Gjithnjë në rrugë demokratike dhe paqësore, ne do ta çojmë deri në fund aksionin tonë për shenjtërinë e votës në vendin tonë", u shpreh Prifti.
Gjithashtu, pritet që protesta e ditës së sotme të jetë më e përshkallëzuar. Pikërisht, një javë më parë 10 deputetët morën vendimin ekstrem, atë të grevës së urisë për shkak të mos rishikimit të formulës monopolizuese PS-PD të drejtimit të KQZ-së dhe të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Konferenca e krerëve të grupeve parlamentare, duke shqyrtuar situatën, një javë më parë kërkuan që 10 deputetët grevistë të lironin sallën e seancave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›