Milo: Mbështesim propozimet e kolegëve grevistë
Kreu i PDS-së Paskal Milo, mbështeti dje propozimin e deputetëve të grevës së urisë për kodin zgjedhor. "Ne mbështesim propozimin e fundit të ardhur nga përfaqësia e deputetëve, që janë në grevën e urisë sepse ky ka qenë edhe propozimi ynë i hershëm i para disa ditëve. Propozimi është një zgjidhje e dobishme, gjithëpërfshirëse dhe nuk duhet hedhur poshtë dhe as nuk duhet konsideruar në mënyrë inatçore", tha Milo. Kreu i PDS-së ka kontaktuar me grevistët dhe u shpreh i bindur, se janë krijuar të gjitha mundësitë që përmes një dialogu mund të hidhen hapa përpara, të cilat mund të çojnë në kompromise që nuk dëmtojnë as një njeri, as një parti përveçse shëndoshin procesin përfundimtar të hartimit të Kodit Zgjedhor dhe do të garantojnë një lojë të ndershme elektorale, një rezultat të pakontestueshëm nga forcat politike, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Milo tha se PDS është e interesuar të ketë një Kod Zgjedhor jo për një, dy-tre apo katër forca politike, por të kemi një kod zgjedhor për të gjithë shqiptarët.