E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta antiterror, Basha takim me zv.ambasadoren e SHBA, Jones

 

Lulzim Basha e ka nisur detyrën si ministër i Brendshëm duke takuar zv.ambasadoren amerikane Deborah Jones, në ceremoninë e diplomimit për luftën kundër terrorizmit të 24 oficerëve të Policisë së Shtetit. Takimi i djeshëm i Bashës me Jones ka ardhur pas përfundimit të kursit të trajnimit, i cili është financuar nga ambasada amerikane në Tiranë. Ministri i Brendshëm, Basha, pasi falënderoi ambasadën e SHBA për ndihmën e vazhdueshme në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit, u shpreh se lufta kundër terrorizmit është një platformë ku bazohet bashkëpunimi mes të dy vendeve. Ndërkohë zv.ambasadorja amerikane Deborah Jones falënderoi nga ana e saj oficerët e policisë për dedikimin dhe angazhimin e treguar për të përfituar përvojën e duhur nëpërmjet këtij kursi trajnimi. Gjithashtu ajo ka vlerësuar se është në interesin e përbashkët që në përballjen me sfidat e sigurisë të ketë një bashkëpunim sa më të mirë të agjencive të zbatimit të ligjit. Jones siguroi se ambasada e SHBA dhe qeveria amerikane do të vijojnë mbështetjen për përmirësimin e kapaciteteve dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit. Basha vlerësoi në takim se është pikërisht ky partneritet strategjik, falë të cilit Shqipëria u anëtarësua në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›