E Diel, 1 Nëntor 2026

Peng për 5 orë mësuesen e fshatit, dështon përdhunimi

 

TEPELENE/ PIRO NASE

Një mësuese 26-vjeçare nga fshati Memaliaj i ka rezistuar për 5 orë tentativës së përdhunimit nga një bashkëmoshatar i saj.
 Autori, Xhevahir Demaj e ka kërcënuar me një thikë arsimtaren, por në pamundësi për të realizuar qëllimin i ka shkaktuar asaj plagë të shumta. Pas denoncimit, policisë i është dashur 4 orë për të rrethuar zonën e kapur 26-vjeçarin, banor i fshatit Izvor të Tepelenës. Ndërsa autori ka plagosur dhe një prej policëve me thikën që mbante në dorë. Sipas policisë, ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, kur autori ka tentuar të përdhunojë mësuesen e fshatit Izvor, D.M. Denoncimi në polici, është kryer nga vetë arsimtarja, e cila ka rrëfyer të gjithë ngjarjen e përjetuar. Ka qenë ora 07:15 kur ka startuar plani i Demajt. Gjithçka ka ndodhur në afërsi të një zone të pyllëzuar kur 26-vjeçari i ka zënë rrugën mësueses së shkollës. E reja ishte në shoqërinë e një koleges së saj, por kjo e fundit ka pësuar gjendje të fikëti kur ka parë agresorin me thikë në dorë. Ai e ka kapur mësuesen nga flokët, duke e tërhequr drejt zonën së thellë, në afërsi të fshatit Memaliaj. Për rreth 5 orë, Demaj ka kryer çdo tentativë që do të rezultonte efikase për të vënë nën vete arsimtaren që jepte mësim në fshatin ku ai banon. Gjatë kësaj kohe, nga zona përtej fshatit Memaliaj, dëgjoheshin klithma të 26-vjeçares e cila kërkonte ndihmë për të lokalizuar veprimet e njëanshme të agresorit. Përdorimi i thikës nga ana e Demajt, ka bërë që vajzës t’i shkaktoheshin plagë në dorë dhe në disa pjesë të trupit.
Në bazë të rrëfimeve të saj në Komisariatin e Policisë së Tepelenës, arsimtarja, është mbrojtur me mundësitë fizike që kishte dhe mundi të rezistonte plot pesë orë pas 20 tentativave për ta përdhunuar. Pas një gjendje shoku të plotë arsimtarja, arriti t’i shpëtonte dhunuesit duke u larguar me shpejtësi në drejtim të banesës dhe mandej ka lajmëruar policinë e Tepelenës. Në vendngjarje kanë shkuar me urgjencë uniformat blu ku fillimisht e kanë transportuar vajzën 26-vjeçare të plagosur në Spitalin Civil për të marrë ndihmën mjekësore. Krahas këtij veprimi, forcat e tjera të policisë së Tepelenës të mbështetura edhe nga Gjirokastra, u vunë në ndjekje të autorit të kësaj ngjarjeje Xhevahir Demaj. Ky i fundit është fshehur në zonën e pyllëzuar, çka e ka bërë të vështirë kapjen e tij, pasi terreni ishte mjaft i thepisur dhe i mbushur me shkurre. Operacioni për kapjen e tij kërkoi dërgimin edhe të 20 forcave policore shtesë nga Gjirokastra e Përmeti së bashku me qenin gjurmues. Nisur nga rëndësia që mori kjo ngjarje, operacioni për kapjen e Demajt, u mor nën kontroll nga kreu i Policisë së Gjirokastrës Arben Hysenaj, i cili e mori me seriozitet të jashtëzakonshëm duke e koduar me emrin “Fobi e Dështuar”. Policia fillimisht i është dashur të rrethojë të gjithë zonën e vendit të ngjarjes duke vënë në efeciencë qenin gjurmës për të përcaktuar vendndodhjen e autorit. Rreth orës 17:00 pas disa orësh kërkimesh intensive, policia mundi të kapte dhe arrestuar më pas autorin i cili njihej në zonë për preferenca të theksuara karshi vajzave të bëshme në trup. Kapja e tij është shoqëruar me plagosjen e një efektivi të policisë nga ana e Demajt, i cili rezistoi fizikisht ndaj kapjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›