E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pengu” i SHIK-ut, Loshaj,dëshmi me videokonferencë

 

Armand Bajrami

Avdyl Loshaj, dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor në ngarkim të katër ish-sekretëve të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës, do të pyetet nga Tirana në Holandë me anë të videokonferencës.
Gjykata për Krimet e Rënda pranoi dje kërkesën e prokurorit të çështjes për sigurimin e dëshmisë të Loshajt me lidhje direkte nga vendet nordike ku ai ndodhet, nëpërmjet video-konferencës. Gjykata pranoi që dëshmitarët e procesit gjyqësor, që ndodhen jashtë Shqipërisë, në Itali, të pyeten me anë të letërporosive. Ndërkohë që e pranoi parimisht kërkesën, Gjykata sqaroi se kjo mënyrë e marrjes së dëshmisë do të zbatohet, pasi nga institucionet përkatëse të konfirmohet se ajo është e mundshme nga ana teknike. Seanca u ndërpre një javë më parë për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve të thirrur në proces, ndërsa edhe dje procesi pati të njëjtin fat, dëshmitarët nuk ishin paraqitur.
DËSHMITË
Kërkesa për sigurimin e dëshmive të personave që janë në listën e dëshmitarëve, por nuk ndodhen në Shqipëri, u bë në seancën e djeshme te Gjykata për Krimet e Rënda. Asnjë nga të pandehurit e kësaj dosjeje nuk ishin të pranishëm në seancë, ndërsa interesat e tyre mbroheshin nga avokatët përkatës. Pasi u njohën me përgjigjet e ardhura nga policia në lidhje me lajmërimin e dëshmitarëve, kryesuesi i seancës, gjyqtari Xhelal Elezi, pyeti prokurorin se si do të veprohej për dëshmitarët që ndodhen jashtë vendit. “Avdyl Loshaj, dëshmitari kryesor i këtij procesi të pyetet me anë të video-konferencës”, kërkoi përfaqësuesi i akuzës, prokurori Xhevat Hana. “Loshaj është pyetur njëherë nga prokurorët në ambasadën shqiptare në Holandë. Ai ka shprehur gatishmërinë për t’u pyetur, por pa ardhur në Shqipëri”, sqaroi prokurori për Gjykatën. Ndërsa për katër dëshmitarë të tjerë të këtij procesi, që aktualisht ndodhen në Itali, prokurori Hana kërkoi pyetjen e tyre nga gjykata me anë të letërporosive.
Në përfundim Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit për pyetjen e dëshmitarëve në Itali me anë të letërporosive, duke i kërkuar palëve përgatitjen e pyetjeve. Ndërsa për video-konferencën gjykata pohoi se do të interesohet për mundësinë teknike të lidhjes. “Referuar pyetjes së dëshmitarit Avdyl Loshaj me anë të video-konferencës, gjykata do presë një përgjigje nga institucionet përkatëse që ofrojnë ndihmat teknike të realizimit të saj”, tha kryesuesi i seancës. Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda si rrëmbyesit dhe torturuesit e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt në vitin 1995. Sipas Prokurorisë, gjatë torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë edhe sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›