Paskuqan, kapet grupi i hajdutëve për 4 grabitje
TIRANE – Tre persona, autorë vjedhjesh të banesave, banorëve, dyqaneve dhe makinave në Paskuqan, u arrestuan dje nga policia e kryeqytetit. Kjo e fundit ka arritur të zbulojë grupin e hajdutëve pas më shumë se 2 muaj hetimesh intensive. Sipas burimeve nga policia, kanë përfunduar në pranga Viktor Vezi, 23 vjeç, Shaban Miftari, 19 vjeç dhe 17-vjeçari me iniciale E.Gj., të tre banorë të Kamzës. Operacioni për kapjen e tyre është realizuar nën drejtimin e oficerëve të Seksionit të Vjedhjeve në bashkëpunim me Komisariatin nr.5. Tre të rinjtë e arrestuar akuzohen për një seri vjedhjesh, kryesisht në zonën e Paskuqanit, që datojnë nga ditët e para të muajit prill e deri në fund të gushtit. Pas hetimeve intensive, ekzaminimit të provave, dëshmive dhe verifikimeve të gjurmëve të gjetura në vendet e ndryshme të ngjarjeve, policia arriti të arrestojë dy ditë më parë 3 autorët e dyshuar. Është dashur një operacion i forcave të policisë së kryeqytetit për goditjen e të ashtuquajturit grup kriminal, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme kanë vjedhur lokale, biznese të ndryshme, banesa private, por edhe kanë plaçkitur kalimtarë të ndryshëm në rrugë, duke i rrahur. Policia tha se deri tani janë të dokumentuara plotësisht katër vjedhje që ata kanë kryer në disa zona të Paskuqanit, ndërkohë që dyshohen edhe për disa vjedhje të tjera banesash, makinash, kalimtarësh, por edhe biznesesh. Vjedhja e parë e tyre dyshohet se daton më 12 prill të këtij viti, ku ata kanë vjedhur një dyqan në rrugën “Sitki Çiço”. Sipas policisë, 3 të arrestuarit dyshohet se më datë 18 gusht të këtij viti në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me dhunë një bashkëmoshatarin e tyre, duke i vjedhur me dhunë shumën e parave prej 20 mijë lekësh dhe një telefon celular. Gjithashtu më 24 gusht dyshohen se kanë vjedhur një banesë po në Paskuqan, duke marrë shumën e parave prej 500 mijë lekësh dhe dy telefona celularë. Ndërkohë Vezi e Miftari, në bashkëpunim me 17-vjeçarin dyshohet të jenë autorë edhe të vjedhjes së automjetit tip “Ford Fiesta” me targë TR 1197 N, ngjarje që ka ndodhur më 18 gusht të këtij viti në rrugën “Selaudin Zorba”. Në vazhdim të këtij operacioni, efektivat e Komisariatit nr.5 arrestuan edhe 16-vjeçarin E.M. dhe 17-vjeçarin R.M., të dyshuar si autorë të vjedhjes së një dyqani celularësh dhe një lokali në Kamëz. e.d