E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja i heq imunitetin gjyqtares së Krimeve të Rënda

03/12/2009  Marsela Balili akuzohet se i ka ulur dënimin një trafikanti droge e armësh

TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë i dha të drejtën dje Prokurorisë për të hetuar në lidhje me gjyqtaren Marsela Balili. Kësisoj Balili zë vendin e dytë në listën e heqjes së imuniteteve të gjyqtarëve, pas vendimit për Qani Hasën, gjyqtar në Elbasan. Vendimi për Balilin u mor në unanimitet të plotë pas kërkesës që ka bërë Prokuroria e Durrësit. KLD-ja miratoi dje dhënien e autorizimit për procedim penal ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Gjithsesi mbledhja s’ka kaluar pa debate, ku burime të drejtësisë thanë se në fokus ishin procedurat e transferimeve të gjyqtarëve. Sakaq, vendimi i KLD-së për gjyqtaren Balili sjell lejimin për kryerjen e hetimeve nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës. Kjo e fundit ka regjistruar emrin e gjyqtares në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuar asaj veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i K. Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Balili do të hetohet së bashku me bashkëshortin e saj Aleksandër Plepi, për të cilin dyshohet se ka marrë para nga dy persona vlonjatë për të ulur dënimin ndaj Besnik Brakës. Balili ka qenë gjyqtarja që kishte në dorë dosjen e Besnik Brakës, akuzuar për trafikim të armëve e drogës. Ndërkohë që Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 18 vite burg, Marsela Balili e dënoi me 14 vite duke zbritur 3 vjet nga kërkesa e akuzës. Por para se të jepej vendimi, bashkëshorti i Balilit, Aleksandër Plepi që ka qenë me detyrën e prokurorit është përgjuar dhe ndjekur nga policia gjatë kohës që ka takuar dy personat. Bëhet e ditur se ata i ofruan Plepit një shumë prej 50 mijë eurosh për të ulur dënimin e Besnik Brakës. Pas largimit të Plepit, tashmë Prokuroria kërkon të hetojë edhe për gjyqtaren e Krimeve të Rënda, Marsela Balili.

Akuza e KLD-së

Balili do të hetohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Më 12 janar 2009, trupi gjykues i Krimeve të Rënda, kryesuar nga Marsela Balili, vendosi që të dënojë me 14 vjet heqje lirie për Besnik Braken dhe 300 mijë lekë gjobë, duke hequr 4 vite nga pretenca e prokurorit. Dyshohet se Balili ka përfituar para për të ulur dënimin e Brakës.

Precedenti

Qani Hasa ishte “koka e parë e turkut”. Gjyqtari i Elbasanit ishte i pari që iu hoq imuniteti. U akuzua nga KLD-ja për marrje ryshfeti. Hasa përherë ka deklaruar se lufta mes klaneve në Gjykatën e Elbasanit ka sjellë këtë që ai e cilëson shpifje.

Në mbledhjen e KLD-së

Debate për transferimet e gjyqtarëve pa pëlqim

Në mbledhjen e djeshme të KLD-së u shqyrtuan dy çështje. Burime të drejtësisë thanë se ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, kundërshtoi procedurën e transferimit të gjyqtarëve pa pëlqimin e tyre. Kjo procedurë sipas tij është e pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo cenon parimin e patundshmërisë së gjyqtarit. Pas debatit KLD pranoi këtë propozim të ministrit si dhe vendosi të mos ketë transferim pa pëlqimin e gjyqtarëve si dhe vendosi të shpallë vendet vakante në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore. Gjithashtu, të njëjtat burime thanë se KLD hodhi poshtë propozimin e ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të Manjola Bejlerit ndaj së cilës ishte konstatuar një shkelje e rëndë për shkak të refuzimit të saj për të shqyrtuar një çështje gjyqësore prej 9 muajsh. Vetë KLD kishte konstatuar këtë shkelje dhe i kish kërkuar ministrit të Drejtësisë fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares. Gjatë shqyrtimit të propozimit të ministrit nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu dhe disa anëtarë të tjerë votuan kundër në shumicë për marrjen e masës disiplinore ndaj kësaj gjyqtareje megjithëse inspektimi ishte kryer nga KLD-ja.

Gjyqtarë pa imunitet

Qani Hasa

Marsela Balili

Gjyqtarë me

procedim disiplinor

në shqyrtim

Taulant Tafa

Pajtime Fetahu

Zihni Shahu

Bujar Musta

Vendet vakante

9 në gjykatën e Tiranës

7 në gjykatën e Durrësit

1 në gjykatën e Lushnjës

4 në gjykatën e Përmetit

1 në gjykatën e Sarandës

Prokurorët e shkarkuar

Ermonela Felaj

Ulsi Manja

Fatmir Hoxha

Bardhyl Shehu

Tom Dedaj

Koli Bele

Rita Gjati

Luan Dyrmishi

Musa Mulkurti

Bujar Çiçi

Çështje në shqyrtim

Aleksander Plepi procedim disiplinor

Ilir Gjevori procedim disiplinor

Drini Pali procedim disiplinor

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›