Lufta kufitare e Netanyahut
Refuzimi i furishëm i Benjamin Netanyahut ndaj propozimit të presidentit amerikan, Barack Obama, për t’i përdorur kufijtë e vitit 1967 si bazë për një zgjidhje me dy shtete të belasë palestinezo-izraelite – kufij që ai i ka quajtur “absolutisht të pambrojtur” – nuk reflekton vetëm mjerimin e një burrështetasi, por edhe filozofinë e tij të vjetruar ushtarake.
Në kohë raketash balistike dhe armësh të tjera të shkatërrimit në masë, dhe kur shteti palestinez parashikohet të jetë i çmilitarizuar, pse është aq vitale për Izraelin ta shikojë ushtrinë e vet “të vendosur përgjatë lumit Jordan”? Nëse është i domosdoshëm një kufi i tillë gjemborë, pse këtë detyrë nuk duhet ta marrë mbi shpatulla një forcë ndërkombëtare? Dhe si mund të konsiderohen një aset strategjik qindra koloni të izoluara në mes të popullatës së armiqësuar palestineze?
Mbase Netanyahu duhet të ketë studiuar mësimet nga lufta e vitit 1973 e Yom Kippurit në Rrafshnaltat e Golanit, përpara se ta denonconte propozimin e Obamas. Kur nisi lufta, gjëja e parë që kërkoi komanda ushtarake izraelite ishte evakuimi i kolonëve të zonës, pasi gjeneralët izraelitë e dinin se do të shndërroheshin në caqe të pamundshme për t’i mbrojtur, dhe një pengesë për manovrim të trupave izraelite. Në të vërtetë, lufta e fundit e fituar në mënyrë “elegante” nga Izraeli – sipas mënyrës që Netanyahu mendon se duhet fituar luftërat – filloi nga vijat e kufijtë e supozuar “të pambrojtur” të vitit 1967.
Nuk është aksident. Pushtimi izraelit i tokave arabe në atë luftë, dhe dërgimi pasues i forcave ushtarake në zemër të popullatës arabe të Bregut Perëndimor dhe afër makinerive të fuqishme ushtarake të Egjiptit në jug dhe Sirisë në veri, ekspozoi terrorizmin palestinez prej anës lindore të kufirit izraelit. Në të njëjtën kohë, pushtimi ia mohoi ushtrisë izraelite përparësinë e një amortizatori – zona e çmilitarizuara që ishin çelës për triumfin e vitit 1967 kundër Egjiptit dhe Sirisë.
Që kufijtë të jenë të mbrojtur, fillimisht duhet të jenë legjitimë dhe të njohur ndërkombëtarisht. Por Netanyahu nuk iu beson “joçifutëve” që garantojnë se bashkësia ndërkombëtare do t’i njohë kufijtë izraelitë, megjithëse prapa vetes ka mbështetjen amerikane, ose se vetë është fuqia më e madhe ushtarake në Lindje të Mesme.
I biri i një historiani të njohur që shërbeu si sekretar personal i Zeev Jabotinskit, themeluesit të së drejtës sioniste, Netanyahu absorboi prej babait nga fëmijëria interpretimin historisë hebraike si një seri tragjedish. Mësimi ishte i thjeshtë: nuk mund t’u besosh joçifutëve, që për historinë hebraike do të thotë tradhti. Çarja e vetme për ekzistencën tonë të brishtë në diasporë bazohet në kthimin në Tokën Biblike të Izraelit. Fqinjëve tanë arabë kurrë nuk duhet besuar; si rrjedhojë, siç predikonte edhe Jabotinski, shteti i ri izraelit duhet të ndërtojë një mur të hekurt të fuqisë çifute për t’i frenuar njëherë e përgjithmonë fqinjët e vet.
Të jemi të drejtë, një filozofi e tillë ekzistenciale nuk ishte monopol i së drejtës. Gjenerali legjendar, moshe Dayan, i cili kishte lindur në kibbutz socialist në brigjet e Detit Galile, nuk ishte më pak skeptik për mundësinë e bashkëjetesës me arabët. Një orator i lindur, ja sesi e shtroi ai në një eulogji për një ushtar të rënë në vitin 1956:
“Të mos frenojmë shikimin nga urrejtja që po përndez dhe mbush jetët e qindra e mijëra arabëve të cilët jetojnë përreth nesh. Të mos i ulim sytë nëse krahët na janë lëshuar. Ky është fati i gjeneratës sonë, kjo është zgjedhja jonë jetike, të jemi të gatitur dhe të armatosur, të fortë dhe të vendosur, shpata jonë le të jetë e ngjitur për grushtin tonë dhe jetët tona le të shuhen. Ne jemi gjeneratë kolonësh, dhe, pa helmetën e çeliktë dhe pishtarin, nuk do të mund të mbëltojmë një fidan dhe të ndërtojmë një shtëpi”.
Ishte po ky Dayani, i cili më 1970 tha se “negociatat e vetme paqësore janë ato që na bëjmë të vendosim dhe ndërtojmë, dhe ne kolonizojmë, dhe kohë pas kohe luftojmë”. Ky ishte realiteti i vrazhdë që detyroi Izraelin të pranonte se siguria më e mirë për të cilën aspironte ishte e bazuar në arritjen e paqes me fqinjët. Ai u bë arkitekt i paqes historike me Egjiptin. Libri i tij, “A jemi të dënuar të jetojmë me shpatë deri në përjetësi?” shënoi transformimin e ushtarit në një burrështetas.
Nëse Netanyahut ndonjëherë i bie hise të prijë një pajtim historik me popullin palestinez, ai duhet të fillojë duke mbështetur një qasje trimëruese, pothuajse postsioniste, të reflektuar në eulogjinë e vitit 1956 të Dayanit.
Plotësisht i vetëdijshëm për politikën e hidhur palestineze të trashëguar nga lufta e vitit 1948, Dayani refuzonte t’i fajësonte vrasësit. Përkundrazi, ai kuptonte “urrejtjen e tyre të përflakur”. Fatkeqësisht, Izraeli sot ka një kryeministër me mentalitet të një komandanti togu që nuk dëshiron ta shndërrojë veten në një Churchill duke luftuar forcat e djallit të betuar për ta shkatërruar Tempullin e Tretë Hebraik. Ta merr mendja, se një prijës i madh duhet të ketë një ndjesi për historinë. Por si e ka thënë edhe filozofi francez, Paul Valery, historia, “një shkencë e gjërave që nuk përsëriten”, po ashtu është “produkti më i rrezikshëm që kimia e intelektit të njeriut kurrë nuk ka arritur ta evoluojë”, veçanërisht kur manipulohet nga politikanët.
Menachem Begin, një paraardhës i sertë i Netanyahut, kishte pafytyrësinë t’i thoshte historianit të madh, Yaakov Talmon, se “kur bëhet fjalë për shekullin e njëzetë, jam më ekspert se ti”.
Talmoni iu kundërpërgjigj me “Atdheu është në rrezik”, një artikull kyç, përfundimet e të cilit janë po aq relevante sot, sikur se ishin në vitin 1981. Nuk do të sigurohet plotësisht ekzistenca e shtetit hebraik derisa nuk merr fund pushtimi, sa Izraeli nuk do të jetojë brenda kufijve të vet të njohur ndërkombëtarisht dhe palestinezët nuk rimëkëmbin dinjitetin e tyre si një shtet.
Autori është ish-ministër i Jashtëm i Izraelit