E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta kundër korrupsionit, Bullgaria ndihmë Kosovës

Bullgaria i ofron Kosovës bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu u shpreh në Prishtinë Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikolay Mladenov, pas takimit me homologun e tij kosovar Skënder Hyseni, duke shtuar se bashkëpunimi midis vendeve të rajonit është thelbësor në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Neve na duhet një bashkëpunim rajonal në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Ballkan. Kemi parë se shumica e këtyre rrjeteve të cilët duhen zbuluar, kalojnë kufijtë e shteteve dhe nuk mund të izolosh një shtet nga tjetri, por duhet që të bëhet një punë e përbashkët. Në këtë aspekt mendoj se EULEX-i ka një rol shumë të rëndësishëm Kosovë. Mendoj se ka bërë një punë të mirë gjatë kësaj kohe dhe shpresoj që në të ardhmen do të ketë një përqëndrim më të madh” tha Mladenov.

Ministri Mladenov theksoi se vendet e rajonit duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë dhe të punojnë së bashku për tu integruar në Bashkimin Evropian.

“Mesazhi më i rëndësishëm i këtij takimi do të jetë rikonfirmimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe përkushtimi i Evropës për Ballkanin Perëndimor. Unë mendoj se duhen përjashtuar të gjitha dallimet aktuale mes shteteve, duhen përjashtuar të gjitha problemet e pazgjidhura dhe duhet të fokusohemi dhe të pajtohemi për një çështje, e cila tregon se sa më i qartë të jetë e ardhmja rajonit, aq më shpejt hapen dyert për perspektiven evropiane” tha Mladenov.

Mladenov, i cili vizitoi Prishtinën me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka zhvilluar takime edhe me Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe me zyrtarë të lartë të ICO-s dhe KFOR-it.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›