E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta në Irak, Kondoleza Rajs pranon gabimet e administratës Bush

Autori i Lajmit: A.D

Hong-Kong – Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, tha ditën e premte se ajo “në çdo kohë do ta çlironte sërish Irakun”, por shfaqi keqardhjen e saj që administrata Bush nuk arriti të punonte më afër me irakianët për të ndërtuar vendin e shkatërruar nga lufta. Ish-kryediplomatja e qeverisë së Xhorxh Bushit, duke mbajtur një fjalim përpara studentëve të Universitetit të Hong-Kongut në Kinë, tha se ajo besonte se historia do të hakmerrej në fund për shkak të shumë vendimeve të marra nga qeveria amerikane e ish-presidentit republikan. “Unë në çdo kohë do ta çliroja sërish Irakun nga Sadam Hyseini”, - tha Rajs. "Unë mendoj se ai ishte një rrezik potencial për Lindjen e Mesme”. Sidoqoftë, ajo theksoi se qeveria amerikane dështoi të kuptonte “se Iraku ishte një shoqëri e shkatërruar” dhe duhet të ishte përqendruar në përpjekjet e rindërtimit të saj jashtë kufijve të Bagdadit”. “Ne u përpoqëm ta rindërtonim Irakun nga Bagdadi në drejtim të qyteteve të tjera, por duhet ta kishim bërë diçka të tillë nga qytetet e tjera drejt Bagdadit”, - tha profesoresha amerikane. “Ne duhet të kishim punuar fort me fiset dhe të kishim bërë një punë shumë herë më të mirë në provincat e vendit të shkatërruar”, - tha ish– kryediplomatja, duke shtuar se projektet e vogla duhet të kishin pasur përparësi në krahasim me ato më të mëdhatë. “Kjo është diçka që në retrospektivë ne e kuptojmë shumë saktë”, shumë vite pas pushtimit të vitit 2003. “Dhe ka një arsye që unë mendoj se Iraku ka një shans”. Rajs ka shërbyer si këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e presidentit Bush dhe si kryediplomatja e SHBA-së. Ajo tani është një nga partneret e vjetra të “Hoover Institution”, një grup kërkimi politikash publike në Universitetin e Stanfordit.
Ky lajm është publikuar: 21/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›