E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: “Kur flet Tirana, Moska dëgjon me vëmendje”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Moskë, 30 qershor 1963 – Në takimin e Kremlinit gjatë vitit të ri, Sekretari i PKBS-së, Nikita Hrushov tha se zënkat brenda kampit komunist ishin si ato të një burri dhe gruaje. “Po, ka ndryshime, - tha ai, - por kur disa kapitalistë përpiqen të fusin hundët në punët tona, atëherë ne duhet të luftojmë kundër tij të bashkuar”. Megjithatë, udhëheqësi sovjetik neglizhoi të shtonte se luftërat në familje, nëse lejoheshin të degradonin, shpesh përfundonin me divorc – me apo pa ndërhyrjen e fqinjëve. Këto shkëmbime mes Moskës dhe Pekinit tashmë duket se e kanë kaluar pikën e kthesës. Ndërsa situata përmban frikën e një rreziku të madh për Perëndimin, ajo mund të ketë gjithashtu dhe efektin e gjenerimit të më shumë lirive për vendet komuniste satelite dhe për “zërat përparimtarë” brenda Bashkimit Sovjetik. Shqipëria është i vetmi vend që e ka fituar një liri të tillë që pas largimit nga blloku sovjetik. Zëdhënës të të dyja palëve pritet të takohen në kryeqytetin rus më 5 korrik në një përpjekje për të zbutur gjakrat. Por në këtë pikë vihet me të vërtetë në dyshim, nëse do të ketë një tërheqje nga Hrushovi apo Mao Ce Duni për të evituar ndasitë. Përveç krenarisë personale, asnjëri nga këta të dy nuk mund të bëjë hapa prapa pa rrezikuar më parë pozicionin e brendshëm të tij.

Nën nivelin e samitit

Kështu, një pjesë e mirë e konfrontimit do të zhvillohet nën nivelin e samitit. Ky debat po i jep formë krijimit të një forumi propagandistik, të cilin secila palë do të përpiqet ta përdorë për qëllimet e veta. Kinezët po përpiqen të organizojnë një takim të partive komuniste të botës. Ndërsa sovjetikët, të cilët i frikësohen një samiti të ri të komunistëve botërorë, pasi ai mund të vërë në dukje dobësitë e saj si udhëheqëse e bllokut, me shumë mundësi do të përpiqet që të izolojë kinezët si arrogantë dhe ngatërrestarët të rrezikshëm. Perëndimorët, të cilët synojnë që të shohin një mundësi ku Kremlini faktikisht të llastohet dhe tu japë fund ëndrrave të tij për pushtimin e botës (siç është pranimi në botën e lirë me marrëveshjen e çarmatimit dhe bashkezistencën paqësore), duket ende një dëshirë. Sidoqoftë, mundësia e një prishjeje përfundimtare të marrëdhënieve diplomatike mes dy gjigantëve komunistë nuk duhet përjashtuar plotësisht. Disa analistë perëndimorë parashikojnë se përçarja do të provojë se është aq e madhe sa dhe ndarja mes Romës dhe Kostandinopojës për krishterimin. Sot ekzistojnë të paktën tre lloje komunizmi: ai i Moskës, i Pekinit dhe i Beogradit. Që të tre ndjekin rrugë të ndryshme, ndonjëherë edhe kontradiktore. Ndërsa rusët dhe kinezët përpiqen të fitojnë sa më shumë aleatë brenda bllokut të tyre, satelitët kanë njëkohësisht një mundësi për të fituar më shumë pavarësi, duke u përpjekur të luajnë rolin e suflerit në luftën kundër dy superfuqive. Në një transmetim të fundit, Radio Tirana nga Shqipëria akuzoi Hrushovin se po bashkëpunonte me “elementët më reaksionarë” në botë. Shqipëria ka luajtur rolin e një zëdhënëse shumë të fortë të Pekinit që Moska do apo nuk do ka ngritur veshët për ta dëgjuar. Sulmet e vazhdueshme të saj ndaj Enver Hoxhës e konfirmojnë diçka të tillë. Me kaq shumë piketa, përse Moska dhe Pekini kanë lejuar që konflikti i tyre të marrë përmasa të tilla? Ka pasur një prirje në Perëndim që të pranojnë përkufizimin ideologjik të vetë të komunistëve për mosmarrëveshjet e tyre. Prandaj, Moska thuhet se përkrah bashkekzistencën paqësore me Perëndimin dhe shpreson në të njëjtën kohë që ti paraprijë revolucionit të dhunshëm. Kinezët, nga ana tjetër, portretizohen si mbështetës të linjës së fortë “staliniste” ku lufta është e paevitueshme dhe se vetëm lolot “revizionistë” mendojnë se komunizmi mund të mbërthejë pushtetin pa ndihmën e armëve.

Të kujdesshëm deri në një farë pike

Këto fjalë portretizojnë, pa dyshim, kujdesin deri në një farë pike. Por ato nuk shohin faktin se sovjetikët janë aq të vendosur për të varrosur Perëndimin sa kurrë më parë. Ishte Hrushovi dhe jo Mao ai që mori rrezikun për të instaluar raketat bërthamore në Kubë. Sovjetikët nxitën haptazi trazirat në Kongo dhe nuk hezitojnë sot të furnizojnë Kastron me ndihmën e nevojshme për të përhapur revolucionin e dhunshëm në Amerikën Latine. Kinezët, nga ana e tyre, e kanë shfrytëzuar shumë pak Stalinin gjatë kohës kur ai ishte në pushtet. Ndërsa ata nuk mund të vlerësojnë plotësisht tmerrin e një lufte bërthamore, kinezët prapëseprapë kanë qëndruar larg deri më tani nga aventura ushtarake aq serioze sa mund të shkaktonin një holokaust të dytë. Prandaj mund të themi se të dyja palët po përdorin argumentet ideologjike për të fshehur shfaqjen e interesave të tyre kombëtare.

Sia ka falur kurrë

Por, me sa duket, Mao nuk ia ka falur kurrë Moskës që dështoi më 1958-n që të mbështeste planet kineze për pushtimin e Tajvanit, i cili do të kishte hequr dhe të vetmen sfidë të legjitimitetit të regjimit të kuq. Rusët i hodhën më tej benzinë zjarrit kur refuzuan të ndihmonin Pekinin që të zhvillonte bombën atomike dhe më së fundmi morën një qëndrim neutral pas pushtimit të tokave kufitare indiane nga Kina. Më pas erdhi dhe lufta e çuditshme e fjalëve pas sulmit të Hrushovit mbi Shqipërinë, ndërsa kur përmendte këtë të fundit i drejtohej Maos dhe udhëheqësi sovjetik sulmonte duke përdorur emrin e Beogradit.

Ky lajm është publikuar: 21/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›