E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta per Veriun e Kosoves. Prishtina ben hapin e pare drejt marrjes se kontrollit

Veriu i Kosovës, që përbën rreth 25 për qind të territorit të shtetit të ri, e ku përfshihen Mitrovica veriore, komuna e Zveçanit, e Zubin Potokut dhe Leposavicit që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999 është konsideruar si një zonë e rrezikshme – një bombë e kurdisur që një ditë patjetër do të shpërthejë.

Qeveria e Kosovës nuk kishte arritur asnjëherë të shtrijë kontrollin dhe autoritetin e saj në këtë pjesë, ndërsa policia e UNMIK-ut në fillim dhe ajo e EULEX-it pastaj ishin treguar të buta përballë strukturave te paligjshme serbe, të cilat po forcoheshin çdo ditë e më shumë, me mbështetjen e Beogradit zyrtar - deri edhe në pajisjen e tyre me armë me të cilat tani po sulmojnë policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

Nga dy pikat kufitare në veri, që nga qershori i vitit 1999, janë futur në mënyrë të paligjshme mallra të ndryshme të kontrabanduara nga Serbia, pa i paguar tatim shtetit, duke dëmtuar, me dhjetëra miliona euro në vit, buxhetin e Kosovës.

Me 17 shkurt të vitit 2008, disa orë pas shpalljes së pavarësisë, serbët e revoltuar me veprimin e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës, i vunë flakën dy pikave kufitare në veri dhe shkatërruan doganat e vendosura nga UNMIK-u, në Jarinje dhe Bërrnjak. Që atëherë nuk kishte më asnjë kontroll në këtë pjesë dhe veriu ishte kthyer  në oaz të krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit. Në këtë pjesë nuk funksiononte rendi dhe ligji dhe mungonte autoriteti i Qeverisë së Kosovës. Serbët radikalë të mbledhur rreth strukturave paralele kundërshtonin me forcë autoritetet e Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2008, filluan problemet me CEFTA-n, pasi Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vendosën të mos njohin vulat e Republikës së Kosovës, të cilat zëvendësuan ato të UNMIK-ut dhe bllokuan të gjitha mallrat e Kosovës. Që atëherë Kosova nuk ka importuar asnjë produkt në këto dy shtete, madje ato nuk kanë lejuar fare që mallrat nga Kosova të kalojnë as transit nëpër vendet e tyre. Ky problem ishte shtruar edhe në bisedimet e nisura me Beogradin në Bruksel dhe pritej të zgjidhej në raundin e fundit, i cili ishte parashikuar të mbahej në fund të muajit korrik.

Zgjidhja ishte gjetur nga ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian dhe pritej vetëm miratimi nga Beogradi për të larguar bllokadën. Por  pala serbe në momentin e fundit ndryshoi mendje dhe hoqi dorë nga pjesëmarrja në raundin e gjashtë të bisedimeve me Prishtinën. Duke parë refuzimin e Beogradit, Qeveria e Kosovës me 20 shkurt vendosi masat e reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën dhe po atë ditë në mbrëmje ktheu mbrapsht disa kamionë me mallra serbe në pikën kufitare në Merdare, në Podujevë.  Mallrat serbe megjithatë nuk u ndaluan pasi ato vazhduan të futen nga dy pikat e tjera kufitare në veri, ku Qeveria e Kosovës nuk kishte kontroll. Qeveria e Kosovës vendosi të ndërhyrë vetë me njësitë speciale të policisë së Kosovës.
 
Gjithçka nisi natën e 25 korrikut. Vendimi ishte marrë nga vetë kryeministri Hashim Thaçi i cili kishte kërkuar dërgimin e njësive speciale të policisë në veri. Në orën 20:00 të mbrëmjes Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kishte telefonuar të gjithë pjesëtarët e njësisë speciale dhe kishte dhënë urdhër për përgatitjen e tyre, pa iu treguar se për çfarë ndërhyrje bëhej fjalë. Në orën 21 e 30 forcat e njësisë speciale arrijnë në qytetin e Mitrovicës ku pasi ishte kërkuar prej tyre të pajisen me të gjitha mjetet, blindat, helmetat armët e gjata dhe të gjitha pajisjet e tjera, u ishte bërë e  ditur se do të marrin pjesë në aksionin për të marr nën kontroll pikat kufitare dhe për të zbatuar vendimin e Qeverisë për masat e reciprocitetit me Serbinë.
 
Anëtarët e Njësisë Speciale ndahen në dy grupe. Njëri niset drejt pikës kufitare në Jarinjë e tjetri për Bërnjak. Grupi i parë pa shumë rezistencë arrin të marrë kontrollin e pikës 31 ndërsa grupi tjetër kishte has në një rezistencë të fortë. Serbët bllokojnë rrugët në hyrje të Leposaviqit. Të armatosur ata vendosin barrikada në rrugë duke bërë që situata të ishte pranë shpërthimit. Njësia speciale e Kosovës merr urdhër për të mos u tërhequr dhe deri në orën tre të mëngjesit pritej vetëm shkrepja e armëve. Në këtë kohë në Leposaviq arrin Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Byhler i cili pas një takimi me kryeministrin Hashim Thaçi gjen një zgjidhje të përkohshme që Njësia Speciale së bashku me doganierët të dërgohen me helikopterët e NATO-s në pikën kufitare. Pas dërgimit të policisë dhe doganierëve në këtë pikë kufitare njësitë speciale tërhiqen nga Leposaviqi.

Në mesditë një ekip i Njësisë Speciale të Kosovës niset për të kryer zëvendësimet në pikën kufitare 31. Rrugës has në një pritë të organizuar mirë nga ana e serbëve, ku edhe vritet polici Enver Zymberi. Një ditë më vonë serbët e revoltuar me aksionin e policisë së Kosovës në mënyrë të organizuar sulmojnë dhe djegin pikën kufitare në Jarinje ndërsa dështojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe në Bërnjak ku hasin në rezistencën e KFOR-it dhe policisë së Kosovës. Pas akteve vandale të serbëve ushtarët amerikanë të KFOR-it marrin nën kontroll pikat kufitare ndërsa komandanti i kësaj force paqeruajtëse vendosë masat e limituara ushtarake në pikat kufitare që japin të drejt të përdorin edhe armët për të mbrojtur njerëzit dhe pronën në këtë pjesë. Pas masave të KFOR-it, situata qetësohet përkohësisht ndërsa serbët nuk heqin dorë nga bllokadat në rrugë. Bisedimet në mes të KFOR-it dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë Goran Bogdanovic dhe Borko Stefanovic, për të gjetur zgjidhjen dështojnë, pasi zyrtarët serbë insistojnë në kthimin e gjendjes së mëparshme ndërsa KFOR-i nuk zmbrapset për të respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të vendosur doganierët dhe policinë kufitare në dy pikat doganore në veri. Në Prishtinë, Kuvendi i Kosovës miraton në mënyrë unike një Rezolutë për mbrojtjen e sovranitetit dhe në mbështetje të vendimit të qeverisë për vendosjen e kontrollit në dy pikat kufitare. Dy ditë më vonë edhe Kuvendi i Serbisë miraton një Rezolutë, që gjithashtu bën thirrje për mbrojtjen e sovranitetit, duke e konsideruar Kosovën pjesë të Serbisë.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se bllokimi i produkteve serbe, të cilat kanë qenë prezente në masë shumë të madhe në Kosovë, është vendim i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Nëse qytetarët e Kosovës vazhdojnë të blejnë produktet serbe atëherë ata, sipas ekspertëve, në mënyrë automatike mbështesin edhe faktorizimin politik, ekonomik e ushtarak të Serbisë. Sipas një analize të bërë nga Agjencia për Promovimin e Investimeve të Kosovës në Vjenë që nga mbarimi i luftës e deri  tani  Serbia i ka marrë Kosovës më shumë se 4 miliardë euro nga eksporti i mallrave që ka bërë në vendin tonë.  Që prej përfundimit të luftës Serbia ka eksportuar prodhimet e veta në Kosovës ndërsa ka vendosur bllokadë ndaj prodhimeve kosovare.

Pas masave të reciprocitetit situata ka ndryshuar në masë të madhe. Me ndihmën e KFOR-it është vendosur kontrolli në tërë territorin e Kosovës duke bërë kështu bllokimin e kontrabandës për herë të parë pas luftës. Qeveria e Kosovës shprehet e vendosur për të mos pranuar asnjë lloj kompromisi sa i përket masave të reciprocitetit dhe vendosjes nën kontroll të pikave kufitare në veri, prej nga ka qenë burimi kryesor i kontrabandës së mallrave.

Vendimi i qeverisë për masat e reciprocitetit dhe marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare ka gjetur mbështetjen e fuqishme të opozitës. Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar nga qeveria që të mos zmbrapset nga vendimi i saj për të kthyer kontrollin në këtë pjesë ndërsa i kanë bërë thirrje faktorit ndërkombëtarë, sidomos forcave ndërkombëtare të sigurisë që t’u dalin në krah institucioneve të Kosovës për të vendosur autoritetin e Prishtinës në veri.

"Kosova i bënë thirrje Beogradit që t’i kthehet tavolinës së bisedimeve në mënyrë të civilizuar e të  mos ëndërron se ka rikthim prapa. Kosova është shtet i dëshmuar, ka kufijtë e vet, e ka Kushtetutën e vet, rendin e vet e gjithashtu edhe kulturë politike që të respektoj fqinjësinë e mire, nëse një gjë e tillë dëshirohet edhe nga ana tjetër. Prandaj edhe me Serbinë ne jemi të gatshëm të rikthehemi me bisedime, por si dy partner të barabartë, si dy partner që nuk kanë nënçmime njëri me tjetrin, si dy partner që përfaqësojnë dy shtetet pavarura” deklaron Behgjet Pacolli, Zv/Kryeministri i parë i Kosovës.

Prishtina mbron me forcë interesat e saj dhe shprehet e vendosur për të mos u tërhequr nga vendimi për të marrë nën kontroll veriun.Beogradi në anën tjetër po lufton me të gjitha mjetet për ta mbajtur kontrollin në këtë pjesë përmes strukturave paralele. Çështja e veriut ishte parashikuar të ishte një nga temat e bisedimeve me Serbinë në Bruksel, të cilat nuk dihet si do të vazhdojnë më tej.  Ndërkombëtarët po bëjnë vazhdimisht thirrje për qetësi që situata në veri të zgjidhet përmes dialogut. Qetësia e brishtë në këtë pjesë pritet të ketë  një epilog në ditët  në vijim....

Bul Salihu

Azhornuar së fundi ( e diel , 31 korrik 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›