OKB: Rëndohet situata në Afrikën Lindore

Kombet e Bashkuara kanë raportuar sot se situata në Afrikën Lindore pas thatësirave të mëdha është përkeqësuar.
"E ardhmja e një brezi të tërë është në rrezik”, është thënë nga Kombet e Bashkuara.
Koordinatorja e OKB-së për ndihma emergjente, Valerie Amos ka deklaruar se më shumë se 12 milionë njerëz në Somali, Kenia, Etiopia, Xhibuti, janë në nevojë urgjente për ndihmë. Sipas saj numri rritet çdo ditë dhe dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur.
Luftimet e vazhdueshme në rajonet e Somalisë janë disa nga pengesat në drejtim të shpërndarjes së ndihmave.
“Megjithatë ne duhet të arrijmë te njerëzit ku janë pa vonesë”, është shprehur Amos
Ndihmat me kamionë, nga ajri dhe uji në jug të Somalisë janë plotësisht të bllokuara.
“Ne i bejmë thirrje të gjitha palëve për të lejuar hyrejn. Qëllimi ynë i vetëm është për të shpëtuar jetën”, tha ajo.
Amos ka deklaruar gjithashtu se edhe pse OKB-ja dhe disa vende anëtare, kanë premtuar një miliardë dollarë ndihmë të menjëhershme, duhen akoma ndihma të tjera.