E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta vullnetare kundër ngrohjes

Anembanë botës, shtetet dhe kapitalizmi tashmë po punojnë që të frenojnë vetë ngrohjen globale, pa apo me marrëveshje globale.

Në Brazil, pjesa më e madhe e pyjeve po shpëtohen, në Chicago ekziston një sistem vullnetar i shkëmbimit për ndotjen me karbon. Njerëzit po riciklojnë, po blejnë automjete më të vogla dhe më të reja.

Por efekti i këtyre përpjekjeve vullnetare është i vogël. Ekspertët theksojnë se këto përpjekje nuk do të mjaftojnë, pa atë marrëveshje të fuqishme globale, e cila iu iku udhëheqësve botërorë në samitin e OKB-së për ndryshime klimatike, i cili u zhvillua javën e kaluar në Kopenhagë.

Emetimi i gazrave në atmosferë po shtohet, e me të edhe ngrohja globale.

Me dhjetëra shtete- duke përfshirë këtu edhe ndotësit më të mëdhenj të ambientit, Kinën dhe SHBA-në- shkuan në Kopenhagë me propozime për të reduktuar nivelin e ndotjes.

Por analistët e OKB-së dhe ekspertët e ndryshëm kanë theksuar se reduktimi vullnetar nuk do të parandalojë që temperaturat të arrijnë një ngritje prej 2.3 gradë Celsius. Është ky niveli, për të cilin shkencëtarët, OKB-ja, BE-ja dhe administrata e Barack Obamës kanë theksuar se bota nuk mund t’ia lejojë vetes.

Qëllimet e mira nuk mjaftojnë. Marrëveshja e arritur mes Obamës, Kinës dhe disa shteteve të tjera, krijon programin e parë të madhe për ndihma klimatike për shtetet e varfra, për t’iu ndihmuar atyre që të përballen me ndryshimet klimatike. Por në të ofrohen shumë pak specifika dhe nuk shkon përtej premtimeve për reduktim, të cilat shtetet i kanë ofruar edhe më herët. Negociata të tjera janë planifikuar gjatë vitit të ardhshëm.

“Kjo vetëm nënvizon përpjekjet heroike, për të cilat shkencëtarët kanë theksuar se duhet të bëhen. Po të ishte lehtë, do të ishin bërë menjëherë. Është kjo një përpjekje mjaft e vështirë”, tha Alden Meyer, drejtor për politikë i Unionit të Shkencëtarëve të Brengosur.

Dhe askush nuk e di këtë më mirë se Obama, i cili 14 orë pas shkuarjes së tij në Kopenhagë shpalosi marrëveshjen politike, duke theksuar se nevojitet një reduktim më agresiv i emetimit të gazrave.

“Por kjo do të jetë mjaft e vështirë. Kjo është vështirë në brendi të shteteve, e do të jetë edhe më e vështirë ndërmjet shteteve”, theksoi Obama.

Menjëherë pas kumtimit të marrëveshjes, një ekip i ekspertëve bëri një llogari të shpejtë: temperatura mesatare në botë me gjasë do të shënojë një ngritje prej 3.2 gradë Celsius nga niveli aktual.

Prandaj, përgjigjja për shumë aktivistë dhe shtete të varfra ishte e pamjaftueshme.

Megjithatë, nuk është që nuk po ndërmerren përpjekje. Sektori privat në SHBA ka investuar tashmë miliarda dollarë, për të reduktuar emetimin e gazrave dhe ky me gjasë është vetëm fillimi, pa marrë parasysh epilogun e Konferencës në Kopenhagë.

Por reduktimi vullnetar i karbonit në atmosferë nuk mjafton për t’iu adresuar çështjes së ndryshimeve klimatike, kanë theksuar ekspertët për energji.

“Po të kishte pasur një përgjigje të lehtë, atëherë shtetet do të kishin mundur të arrijnë pajtimin mes vete. Por nuk ka përgjigje të lehta. Dhe nuk ka as përgjigje të lirë. Nuk shoh mundësinë që njerëzit pa nxitje të vazhdojnë edhe më tutje luftën vullnetare. Kjo nxitje duhet të vijë nga qeveritë”, thotë Gregg Marland, i cili vëzhgon emetimin e gazrave në gjithë botën në laboratorin kombëtar Oak Ridge.

Në pjesën më të madhe të botës në zhvillim, problemi më i madh i karbonit është shkatërrimi i pyjeve. Brazili, vend ky i cili gjendet në mesin e dhjetë ndotësve më të mëdhenj në botë, është duke humbur pyjet e veta, të cilat e thithin nga ajri karbonin.

Në pjesën më të madhe me ndihmën e procesit të shkatërrimit të pyjeve, Brazili ka premtuar se deri në vitin 2020 do të reduktojë për 39 për qind emetimin e gazrave në atmosferë.

Problemi është, theksoi Obama, se “shkenca na detyron që të veprojmë sa më shpejt që mundemi”.

Nëse nuk arrihen synimet, me miliona njerëz do të jenë subjekt i vërshimeve, thatësia do të rezultojë me mungesë të ushqimit dhe rreth 20 për qind e gjallesave të njohura në Oqeane do të jenë të rrezikuara.

Teknikisht, shtyrja për një vit e implementimit të kufizimit agresiv të gazrave në atmosferë- falë marrëveshjes joobliguese në Kopenhagë- ndoshta nuk do të dëmtojë botën. Megjithatë, kjo mbetet një çështje thelbësore, thotë Achim Steiner, kryesues i programit të OKB-së për ambient.

“I ngjason kartelës së kreditit: sa herë që një person shtyn pagesën e baraspeshës, problemi bëhet më i madh dhe më i vështirë për t’u zgjidhur”, thotë Steiner.

Çdo vit shtyrjeje nënkupton se gjasat për të siguruar një klimë stabile dhe më të shëndetshme, bëhen më të vogla, thotë Yvo De Boer, kryesues i Konventës së OKB-së për ndryshime klimatike.

Por sfidat politike mund të jenë edhe më të mëdha.

Le ta shtrojmë në këtë mënyrë: më shumë se 110 udhëheqës botërorë u tubuan në Kopenhagë, me vetëm disa dhjetëra prej tyre të cilët hartuan një marrëveshje të dobët për më pak se një ditë. Dhe tani, kjo marrëveshje do të jetë bazë për përpjekjet e vitit të ardhshëm, të cilat sërish do të bëjnë përpjekje të sigurojnë hapa më konkretë dhe më dramatikë, theksoi De Boer.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat e mëdha të cilat i kemi përpara. Megjithatë, jam optimist. Mendoj se shkenca do të udhëheqë procesin. Mendoj se kjo çështje do të udhëhiqet nga biznesi dhe shoqëria”, nënvizoi De Boer.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›