Vritet një udhëheqës lokal në veri të Irakut
Një sulmues vetëvrasës ka vrarë sot një udhëheqës lokal në veri të Irakut, ka njoftuar policia, sulmi ky më i ri në rajonin, në të cilin Al Qaida ende mbetet kërcënim.
Sulmuesi hodhi vetën në ajër, në momentin kur udhëheqësit nga qyteti Tala far, rreth 420 km në veriperëndim të Bagdadit, po largoheshin nga një varrim, njoftoi policia.
Hussein Akris, një politikan i pavarur, i cili ka kryesuar këshillin qeveritar të Tal Afarit, humbi jetën si pasojë e këtij sulmi, deklaroi Abdul Shimmari, kryesues i Komitetit për siguri dhe mbrojtje në këshillin provincial të Nenivehut.
Në mesin e të vrarëve është edhe një truproje e Akrisit, ndërsa janë plagosur edhe shtatë politikanë lokal dhe rojtarë tjerë.
Dhuna në Irak ka shënuar një rënie të dukshme, që nga gjakderdhja ndërfetare në vitet 2006 dhe 2007. Por në rajonet me popullatë të përzier, siç është Ninevehu, kryengritësit sunitë kanë vazhduar sulmet kundër policëve, ushtarëve dhe civilëve.
Kohëve të fundit, Iraku është tronditur edhe nga sulmet masive kundër ndërtesave të qeverisë në Bagdad. Më herët gjatë këtij muaji, 112 persona u vranë, si pasojë e serisë së sulmeve me bomba, të cilat u ndërmorën në kryeqytetin e Irakut.