E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa; Vrau nënën, “burg pa afat” për 35-vjeçarin Birko

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi dje izolimin në qelitë e paraburgimit deri në përfundim të hetimit për 35-vjeçarin, që akuzohet për vrasjen e nënës së tij, ngjarje e ndodhur katër ditë më parë në Tiranë. Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata caktoi masën e sigurisë së “arrestit me burg” ndaj 35-vjeçarit Alkent Birko, i arrestuar me akuzën e "vrasjes me dashje" ndaj nënës së tij 60-vjeçare, Shpresa Hoxha. Gjatë ballafaqimit me hetuesit e çështjes, 35-vjeçari ka pranuar autorësinë në krim, duke treguar se shkak ishte bërë një grindje për motive të dobëta. Ndërkohë, mendohet se i pandehuri është përdorues droge dhe kërkesa e vazhdueshme për para, për të siguruar lëndën narkotike, e ka çuar atë në kryerjen e krimit. Alkent Birko u arrestua pak çaste pas vrasjes me thikë të nënës së tij në banesën ku jetonin prej kohësh, në zonën e Medresesë në Tiranë. Policia i bllokoi atij me cilësinë e provës materiale thikën, me të cilën mendohet se është realizuar krimi i rëndë.

Tiranë

Kërkohet veçimi i çështjes për të pandehurit në mungesë, rrëzohet kërkesa

Dështoi sërish dje seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurve të “Bandës së Lushnjes”, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Shkak për shtyrjen, ashtu sikundër edhe një seancë më parë është bërë mungesa e avokatëve të dy prej shtatë të pandehurve, për të cilët nga njëri prej avokatëve të pranishëm u kërkua veçimi i çështjes. Por, sipas gjykatës, gjykimi për këta shtetas nuk mund të ndahet në këtë fazë të gjykimit, aq më tepër që avokatët kanë qenë të pranishëm gjatë dëshmive të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, por edhe në dëshmi të tjera në favor të akuzës. E gjendur përballë kushteve të tilla, gjykata caktoi të premten e ardhshme ditën për zhvillimin e seancës së radhës. Të pandehur në këtë proces janë Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Ciçi, Arjan Aliçaj, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina. Këta persona, të akuzuar si pjesë e “Bandës së Lushnjes”, akuzohen për disa vepra penale, ndër to edhe vrasje të ndodhura disa vite më parë në Lushnje. Në proces gjykimi në këtë gjykatë është edhe Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, dhe Enver Dondollaku, i njohur si krahu i djathtë i tij, të cilët po procedohen në mungesë. Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërsa Dondollaku në Itali.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›