Luftëtari riatdhesohet sot, pas miqësores me Tomorin
Problemi kryesor për momentin është gjendja e 5 lojtarëve të dëmtuar, që nuk dihet nëse do të luajnë ndaj Kukësit
Nga kampi i Luftëtarit, pra nga Ulqini, vijnë në Gjirokastër informacione për një status quo të përbërjes së tij, që në njëfarë mase rezulton mjaft e ngarkuar. Themi kështu, sepse në ekip janë gjirokastritët Devolli, Nora, Sinani, Stoja, Braho, Zholi, Këndella, Brahimi, Bistri, Lluka, Gaxhaj, Shehaj dhe Gërxholli, shkodranët Raboshta, Selimaj, Baci e Ramadani, si dhe të tjerët, Mersini, Çaço, Hithi, Strati dhe Nino.
Tre të fundit u rekrutuan për fazën e dytë, ndërkohë që në Gjirokastër pret edhe Shalari i dëmtuar, në përpjekje të riaftësimit, por edhe të tjerë që janë të federuar, edhe pse nuk u morën në grumbullimin 10-ditor të Ulqinit, ku Luftëtari po përgatitet nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede dhe ndihmësve të tij, Neritan Novi dhe Dritan Kristidhi.
Ditët e fundit ndodhet në Mal të Zi edhe donatori Qazim Muho, i cili ndjek nga afër ekipin. Ndeshja e parë e Luftëtarit për vitin 2012 do të luhet në Gjirokastër me Kukësin, që mban vendin e dytë, e prapambetur nga java e 14-të. Në këtë ndeshje zyrtare do të prezantohen edhe dy trajnerët e emëruar në fillim të janarit, Dede dhe Novi, si dhe futbollistët Hithi, Strati e Nino, për të cilët do të jetë premiera me fanellën e Luftëtarit. Fitorja plotësisht e mundshme bën që ekipi në fjalë ta fillojë fazën e dytë në Vlorë me 6 pikë avantazh nga vendi i dytë.
Tomori Për sot është programuar ndeshja miqësore me Tomorin e superligës, që ndodhet edhe ai në Ulqin dhe pas saj ekipi do të kthehet për të vazhduar përgatitjet e mëtejshme në Gjirokastër. Mbetet ende problem riaftësimi i Gaxhajt, Raboshtës, Bacit dhe Ramadanit, krahas Shalarit.
Shumica e tyre mendohet të jenë të gatshëm për duelin me Kukësin, sepse përndyshe do të jetë si në kohën, kur ndeshja nuk u luajt për shkak të borës dhe Luftëtari kishte 5 mungesa titullarësh. Sidoqoftë, ky ekip i ka të gjitha mundësitë për të nxjerrë një formacion luftarak dhe të arrijë fitoren e parë të 2012-ës.
