E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali shpreson në mrekulli

El Clasico i sotëm do të vendosë se cila nga skuadrat, Barcelona apo Real Madrid, do të kualifikohen në gjysmëfinale të Copa del Rey. Përballjen e parë e ka fituar Barça në Santiago Bernabeu. Të dyja skuadrat janë të motivuara dhe do të luftojnë për një vend në mesin e katër më të mirëve për Kupën e Mbretit.

Barcelona dhe Real Madridi do ta zhvillojnë ‘El Clasicon’ e dytë brenda një javë sonte, në përballjen e tyre çerekfinale të Copa del Rey. Në duelin e parë, të zhvilluar javën që shkoi, katalunasit fituan në Santiago Bernabeu me rezultat 2:1.

Djelmoshat e Pep Guardiolës kanë kapital nga takimi i parë, por trajneri spanjoll thotë se ende asgjë nuk ka përfunduar. Ai është i vetëdijshëm se ‘Los Blancos’ janë të papërshkrueshëm, kështu që kërkon kujdes nga lojtarët e tij.

“Jemi të lumtur me mënyrën se si luajtëm në Madrid dhe me faktin se shënuam fitore, duke mos u mposhtur në Santiago Bernabeu në shtatë takimet e fundit. Por, ne e kemi kaluar vetëm gjysmën e rrugës. Reali është në gjendje të bëjë gjithçka në ndeshjen e kthimit”, ka thënë Guardiola.

“Kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u luajtur, duhet ta marrim punën me seriozitet. Duhet të jemi gati ndaj çdo situate që krijohet, duhet të kemi kujdes të shtuar. Kemi ende punë për ta prekur gjysmëfinalen”, vijoi ai.

Në anën tjetër, trajneri i Realit, Jose Mourinho, beson se ‘Merengues’ kanë ende gjasa për t’u kualifikuar në mesin e katër më të mirëve. Trajneri portugez ka qenë i shkurtër në konferencën për shtyp të mbajtur dje, por ka sqaruar shumëçka rreth synimeve të ekipit të tij.

“Mendoj se ekipi im ka gjasa për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, kështu që ne do të mundohemi ta japim më të mirën. Mirëpo, e dimë se ndaj kundërshtarit tonë humbëm 2:1 në ndeshjen e parë, kështu që kemi mundësitë tona. Ndryshimet që do t’i bëjë Barcelona nuk na interesojnë. Ata e kanë lojën dhe principet e tyre, kështu që mund të bëjnë vetëm ndërrime”, tha ‘Special One’.

Barcelona pritet të luajë me formacionin 4-3-3, me Pinton në mbrojtje, pastaj Alves, Pique, Puyol e Abidal në mbrojtje, Xavi, Busquets e Iniesta në mesfushë, kurse përpara tyre treshja e zakonshme tashmë Messi, Cesc, Sanchez.

Tek madrilenët, Casillas pritet të jetë në portë, ndërsa përpara tij katërshja Arbeloa, Ramos, Varane e Marcelo. Mesfusha pritet të përbëhet nga treshja Diarra, Xabi Alonso e Coentrao, e cila do ta mbështesë trion e sulmit Higuain, Benzema, Ronaldo.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në Camp Nou sonte, duke filluar nga ora 22:00. Reali është fitues aktual i këtij trofeu, pasi e kishte mposhtur në finale vjet pikërisht Barcelonën 1:0, falë golit të Cristiano Ronaldos të shënuar në lojën shtesë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›