Luftime në Kabul
Militantët talebanë sulmuan sot qendrën e qeverisë së Afganistanit, me ç’rast sulmuan disa shënjestra në Kabul, shenjë kjo e qartë se militantët planifikojnë që të intensifikojnë fushatën e tyre, në momentin kur SHBA-ja dhe aleatët e saj po vazhdojnë fushatën e tyre për t’i dhënë fund luftës.
Zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahid, deklaroi se rreth 20 militantë të armatosur kanë hyrë në Kabul, për të vënë në shënjestër pallatin presidencial dhe ndërtesa tjera qeveritare në qendër të Kabulit. Shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri prishen sot qetësinë në kryeqytetin afganë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë përleshjeve janë lënduar së paku 15 persona, përfshirë këtu edhe tre policë.
Sulmi u ndërmor pikurish në momentin kur anëtarët e konfirmuar të kabinetit dhanë betimin para presidentit Hamid Karzai, përkundër faktit se parlamenti nuk ka konfirmuar pjesën më të madhe të emëruarve të tij.
Shpërthimi i parë në Kabul u dëgjua në orët e para të mëngjesit, në rajonin në të cilin janë të përqendruara ndërtesat e qeverisë, përfshirë edhe pallatin presidencial dhe Bankën Qendrore.
Dy sulmues vetëvrasës kanë arritur të hedhin vetën në ajër, ndërsa dy të tjerë janë vrarë nga forcat e sigurisë, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Zemari Bashari.