E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luhatjet e tensionit në plazh, merr flakë hoteli gjigant

DURRES - Plazhi i Durrësit është “zgjuar” i tronditur, kur në mes të territ tre automjete zjarrfikëse kanë çarë me shpejtësi rrugën kryesore, duke mbajtur sirenat e alarmit ndezur. 

Një hotel bregdetar në plazhin e Durrësit është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit, por për fat të mirë nuk regjistrohet asnjë person i lënduar. Burime policore konfirmojnë se, ka qenë ora 03:00 e mëngjesit kur nga papafingo e hotel “Kadrisës” në sektorin “Hekurudha” të plazhit të Durrësit janë dalluar flakët e para. Materiali i drunjtë me të cilën ishte ndërtuar papafingo ka bërë që flakët të përhapen në të gjithë katin me shpejtësi të madhe. Pavarësisht se ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e shpejtë, zjarri është shuar vetëm në orët e para të agimit. Për fat të mirë asnjë prej turistëve nuk ndodhej në papafingo në atë orë të vonë të natës. Nga burimet mësohet se kanë qenë të paktë turistët në hotel pasi prenotimet masive ishin programuar për korrikun. Afro 15 pushues të ndodhur në katet e poshtme janë evakuuar në oborr me t’u përhapur flakët e para. Ata kanë qëndruar jashtë për disa orë derisa është shuar nga zjarrfikësit vatra e fundit e flakëve. Në katet e poshtme të hotelit nuk ka dëmtime. “Kjo më ka dëmtuar shumë, pasi tani pres prenotimet e mbi 200 turistëve. Paratë e siguracioneve do t’i marr më vonë, ndërsa turistët nuk mund të presin deri sa të kryhet nga specialistët vlerësimi i dëmeve. Tani do të më duhet të paguaj nga xhepi, në mënyrë që të mos humb të gjithë sezonin veror”, tha pronari Isa Zeqiraj. Gjatë orëve të vona të natës në plazhin e Durrësit janë vënë re luhatje të mëdha të tensionit. Kjo mendohet se ka provokuar ndonjë shkëndijë në katin e sipërm të hotelit, duke sjellë më pas edhe shkrumbimin total të pjesës së drunjtë. Për administratorin Zeqiraj ky është një dëm i madh në prag të këtij sezoni turistik. Specialistët zjarrfikës janë të mendimit se zjarri ka ardhur si pasojë e ndonjë qarku të shkurtër elektrik, i cili fillimisht i ka vënë flakën perdeve dhe më pas të gjithë papafingos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›