Luhet sot supersfida e Serise A

Skuadra e Antonio Kontes do të kërkojë ti përgjigjet fitores së Milanit dhe të mbajë hapin me kryesuesit e kampionatit dhe për këtë arsye “Zonja e Vjetër” pritet të luajë me tre sulmues, ku Vuçiniç dhe Pepe do të jenë përkrah Matrit. Edhe pse Juve cilësohet favorite, trajneri Konte i ka të qarta vështirësitë e sfidës. “Interi do të luajë ndeshjen e jetës, nuk ka dyshim, sqaroi tekniku bardhezi. Duam apo sduam, kjo është një ndeshje shumë e pritur edhe nga tifozët e tyre”.
Në anën tjetër, Interi paraqitet në Torino pa Sneijder, ndërsa në sulm do të luajnë Milito e Forlan. Por, pavarësisht situatës së vështirë dhe kërkesës së presidentit Morati për fitore, trajneri Ranieri kërkon ta kalojë presionin te kundërshtarët. “Ky është një derbi i vërtetë, unë e di mirë, pasi kam qenë edhe në kampin tjetër, tha ai. Mendoj se Juventusi rrezikon më shumë, sepse nëse bën një hap fals shkëputet nga Milani. Gjithashtu ata i tremben faktit që mund të pësojnë humbjen e parë në stadiumin e ri pikërisht nga Interi”.
Më mbrapa në këtë sfidë nuk duan të mbeten as tifozët. Mbështetësit e Juventusit kanë premtuar një koreografi “spektakolare” dhe “të parealizuar më parë”. Spektakli në tribunat e “Juventus stadium” pritet të jetë disa herë më I madh se në takimet e tjera, ndërsa nuk do të mbetet pa u prekur edhe tema e “Calciopoli”-t si edhe fakti që titujt e fituar nga bardhezinjtë janë 29 dhe jo 27.