Luiza Xhuvani, zonjusha Margaritë në skenën e Athinës
Në vijim të sezonit artistik drejtuesit e Teatrit të Metropolit, për ti dhënë më shumë hapësirë aktivitetit të këtij teatri, me shfaqjet e tyre do të shkojnë dhe jashtë kufijve. Ftesa e parë ka mbërritur nga Athina, ku Teatri i Metropolit do të marrë pjesë me shfaqjen
Mënyrat e zonjushës Margaritë në festivalin e organizuar nga bashkia e këtij qyteti që do të jetë në datat 8-9 maj. Në Greqi ai do të zhvillohet në një nga teatrot më të mëdha të këtij qyteti, i quajtur Neo Kozmo. Ky është aktivitet i përvitshëm, që ka më shumë se 40 vjet që zhvillohet. Është një festival shumë serioz ku marrin pjesë trupa prestigjioze të Athinës, por edhe të vendeve të tjera të rajonit. Është hera e parë që Teatri i Metropolit ftohet me këtë prezantim me Mënyrat e zonjushës Margaritë, të autorit brazilian Roberto Atande dhe monodrama interpretohet nga aktorja Luiza Xhuvani. Ajo vazhdon të ngjisë shkallët e karrierës, e bashkë me to edhe vëmendjen e publikut. Luiza Xhuvani, vazhdon të ketë po atë magji tek publiku që e vlerëson shumë jo vetëm për cilësitë e saj aktorjale, por edhe për një performancë të shkëlqyer që ajo shfaq në skenë. Ajo u vlerësua si aktorja më e mirë në vitin 2006 kur u prezantua përpara spektatorit monodrama Mënyra e zonjushës Margaritë me regji nga Kiço Londo, vepër e cila i kapërceu parashikimet e suksesit të saj. Pas një turneu të suksesshëm, performanca e Luiza Xhuvanit e zgjedhur nga Londo për rolin e mësueses Margaritë, personazhit të Roberto Athayed mori shumë duartrokitje nga spektatori. Vepra trajton temën e dhunës dhe të diktatit. Në qendër të veprës është një mësuese, Margarita, e cila në orën e biologjisë dhe të matematikës ju flet nxënësve për vdekjen dhe për seksin. Është një vepër sfidë. Është luajtur shumë rrallë nëpër botë, për shkak të vështirësive të mëdha që ka ajo kryesisht artistike, por edhe teknike. Drejtori i Teatrit të Metropolit, Kiço Londo tregon për punën e bërë për përgatitjen e shfaqjes në këtë festival. Teatri i Metropolit do të marrë pjesë në festivalin teatror, të organizuar nga Bashkia e Athinës në Greqi dhe që do të zhvillohet në një nga teatrot më të mëdha të këtij qyteti, i quajtur Neo Kozmo. Ky është aktivitet i përvitshëm, që ka më shumë se 40 vjet që zhvillohet. Është hera e parë që Teatri i Metropolit ftohet dhe besoj se që nga ky prezantim ne do të vazhdojmë të jemi të përvitshëm në këtë festival, me vepra të ndryshme, pohon drejtori Kiço. Pas Festivalit të Athinës, vepra do të kthehet për tu shfaqur në Teatrin e Metropolit dhe pastaj do të udhëtojë drejt Festivaleve në Beograd dhe Egjipt. Por e rëndësishme është se tashmë përveç aktivitetit të gjerë, që ka Teatri i Metropolit në skenë, ai do të fillojë edhe nëpër hapësira të tjera të kryeqytetit, madje artistët e tij do të marrim pjesë dhe në festivale të tjera. Pas prezantimit në Greqi na pret festivali Apollon 2010, ku ne do të marrim pjesë me shfaqjen Playboy i trojeve tona, pohon drejtori Londo. Ndërkohë që të gjitha këto pjesëmarrje i forcojnë pozitat e Teatrit të Metropolit, i cili është i vetmi teatër në Shqipëri, i cili funksionon me projekte duke ju adresuar veprave të vështira, si Kopshti i vishnjave, Zonja e Bujtinës, monodrama e Erand Sojlit, Playboy i trojeve tona, Zonjushë Margarita, etj. Ndërkohë gjatë fundit të muajit prill dhe fillimit të majit në të dyja sallat janë përsëri dy shfaqje, edhe këto me aktorë të rinj, pra të rinjtë do të vazhdojnë të jenë themeli i aktivitetit artistik të Teatrit të Metropolit.
Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Marte, 27 Prill 2010 19:45