E Diel, 1 Nëntor 2026

Lukse: Nuk më shqetëson Eto, por Barcelona

07/04/2005  Trajneri i Realit ka theksuar se “galaktikët” duhet të kenë kujdes nga skuadra, jo nga lojtari

Trajneri i Realit, Vanderlei Luksemburgo, do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë kundër Barcelonës, por kjo gjë duket se nuk e shqetëson. Trajneri ka kërkuar që lojtarët e tij të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe ka theksuar se nuk ka vend për euforinë e tepruar. Ndërkohë, Lukse thekson se nuk është vetëm Eto që e shqetëson atë, ashtu si thuhet në media, por i gjithë ekipi i Barçës. Ky mund të jetë edhe rasti më i mirë për Ronaldon, që të rikthehet te goli.

Kjo është hera e parë që jeni në një takim kundër Barcelonës. Si ndiheni?

Shumë mirë. Një ndeshje e kësaj rëndësie përjetohet njësoj, si në Spanjë, Brazil apo Argjentinë. Kam zhvilluar shumë të tilla në vendlindjen time dhe e di mirë se si zhvillohen. Është e nevojshme që të punosh shumë dhe të flasësh më pak.

Kush është çelësi për të arritur te fitorja?

Çdo lojtar duhet të ketë një ekuilibër midis emocioneve dhe arsyes. Kjo ndeshje përjetohet shumë nga ana emocionale, por është e rëndësishme që të përqëndrohemi edhe në aspektin fizik. Të gjithë janë të motivuar, sepse do të kenë përballë një kundërshtar të përhershëm. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe duhet të luajmë në maksimumin tonë.

Nëse fiton Barça, mund të quhet kampione?

Në radhë të parë duhet të fitojnë dhe jo të flasin shumë. Por ata do të jenë në presion, sepse kanë shumë për të humbur, duke qenë në krye të klasifikimit. Ne kemi motivimin e nevojshëm për të fituar të gjitha ndeshjet dhe për t’u shpallur kampion. Së shpejti do të shohim se çfarë ndodh. Nëse fitojmë ne, atëherë do të jemi gjashtë pikë larg, por ata përsëri do të kenë një avantazh të madh. Duhet të vazhdojmë të shpresojmë gjithmonë, për t’u shpallur kampionë.

Eto është lojtari që ju shqetëson më shumë?

Mua nuk më shqetëson Eto, por e gjithë Barcelona. Ata janë një skuadër dhe nuk bazohen te një lojtar i vetëm. Eto është pjesë e skuadrës. Ai është një lojtar i mirë, ka shumë cilësi të mira, por mos të harrojmë se janë edhe Ronaldinjo, Ksavi dhe shumë të tjerë. Barcelona ka shumë yje në ekip, jo vetëm një.

Mendoni se kjo mund të jetë ndeshja e duhur për Ronaldon?

Nuk kam asnjë dyshim se Ronaldo do të rikthehet te goli. Ai është një lojtar fantastik, por është e vërtetë se nuk po arrin të shënojë. Gjithësesi, ai do të rikthehet te goli dhe të shpresojmë se kjo do të fillojë kundër Barcelonës. Ronaldo është shumë i motivuar dhe ka besim të madh në vetvete. Për më tepër, lojtarët e mëdhenj duken në momentet e vështira.

A mendoni se gjyqtarët kanë ndihmuar Barcelonën?

Nuk dua të diskutoj për gjyqtarët. Jam këtu për të biseduar vetëm për futboll.

Thuhet se ju po përgatiteni shumë për këtë ndeshje...

Po është e vërtetë. Kam parë shumë video me ndeshjet e tyre, por gjithësesi e dimë shumë mirë se Barcelona na njeh neve dhe ne i njohim ata. Marrë nga “marca.com”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›