Luksemburgu: Serbia duhet ta njohë Kosovën patjetër

Zv kryeministri i Luksemburgut, Zhan Aselborn
Serbia në një moment patjetër duhet të njohë Kosovën nëse do që të hyjë në BE, është shprehur ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i Luksemburgut, Zhan Aselborn.
“Me siguri do të nevojiten negociatat para njohjes përfundimtare të Kosovës nga ana e Serbisë, por mendoj se me kohë, do të jetë e domosdoshme që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, është shprehur shefi diplomacisë së Luksembergut në intervsistë për të përditshmen e Beogradit “Veçernje novosti”.
Në konstatimin se për Serbinë mbetet edhe një kusht për fillimin e negociatave që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Aselborn shpjegoi se kjo do të thotë që nën kujdesin e Bashkimit Evropian, “shumë çështje duhet të hapen në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, para se të vendoset për negociatat me BE-në”. Sipas tij, është e domosdoshme që të ringjallen marrëdhëniet ndërmet fqinjve për faktin se nevojitet stabilitet në rajonin e Ballkanit.
“Shpresoj që procesi i normalizimit, i cili ka nisur nën kujdesin e BE-së mund të fillojë procesin e pajtimit në mes të popujve. Qasja pragmatike më duket më e përshtatshmja”, theksoi Aselborn.
Luksemburgu ka qëndrim specifik ndaj çështjes serbe dhe mbështet fuqishëm integrimet evropiane të Serbisë, por kur bëhet fjalë për Kosovën, flet i pari për atë që disa anëtare shumë të mëdha dhe të fuqishme aktualisht fshehin prapa mesazheve dykuptimore.