E Diel, 1 Nëntor 2026

Luksemburgu ndan 4.5 milionë euro për rrjetin e ujësjellësit

Nga Express më 13 prill 2011 në ora 20:35

Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Pjer Veber, ka siguruar të mërkurën kryetarin e komunës së Mitrovicës Avni Kastrati se vendi i tij do të ndihmojë me projekte për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, me çka do të përmirësohet dukshëm cilësia e ujit të pijshëm për qytetarët.

Në këtë takim, ku mori pjesë edhe drejtori i ujësjellësit rajonal të Mitrovicës, Faruk Hajrizi, ambasadori Veber ka thënë se pas miratimit të projektit nga Qeveria e Luksemburgut, është caktuar kompania përgjegjëse për realizimin e tij.

Ai sqaroi se së shpejti kjo kompani austriake do të nisë punën në terren, në mënyrë që sa më shpejt të fillojë realizimi i këtij projekti të rëndësishëm, për të cilin Qeveria e Luksemburgut do të investojë 4.5 milionë euro.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati ka falënderuar ambasadorin Veber për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë këtij projekti, pasi që rrjeti ekzistues është shumë i vjetruar, andaj rregullimi i tij do të përmirësojë cilësinë e ujit.

Ai theksoi se problemet me të mëdha ujësjellësi rajonal, veçanërisht në Mitrovicë i ka pasur pikërisht me rrjetin, duke pasur parasysh humbjet e mëdha të ujit. Ndërkaq, pas realizimit të këtij projekti, ai shtoi se gjendja pritet të ndryshojë pozitivisht në të gjitha segmentet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›