E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, seanca e parë plenare e sesionit të fundit

Ditën e sotme do të mblidhet seanca e parë e sesionit të fundit parlamentar përpara zgjedhjeve të vitit 2009. Kuvendi nisi punën zyrtarisht në datën 1 shtator me veprimtarinë në komisionet e përhershme kuvendore, dhe sesioni i vjeshtës do të vijojë tashmë punën normalisht me mbledhjet dy herë në javë të seancave plenare. Në këtë sesion parashikohen të miratohen disa reforma të rëndësishme, si ajo zgjedhore dhe reforma në drejtësi, por edhe ligje të debatueshme, si ai i hapjes së dosjeve. Rendi i ditës i punimeve të seancës plenare të së hënës parashikon miratimin e kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 1-22 shtator, si dhe të një numri projektligjesh, kryesisht ratifikimin e disa marrëveshjeve dypalëshe, si me palën austriake, qipriote etj., në kuadër të bashkëpunimit ekonomik bilateral. Gjithashtu, axhenda e punimeve të seancës së parë plenare përfshin dhe miratimin e projektligjit “Për nivelet e tarifave doganore”, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”.

Kryengritja antikomuniste, Topi dekoron Postribës me Urdhrin "Nderi i Kombit"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të marrë pjesë ditën e nesërme në ceremoninë e 62-vjetorit të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, në rrethin e Shkodrës. Sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e Presidencës, bëhet e ditur se gjatë kësaj ceremonie, ku do të jenë të pranishëm edhe drejtues të pushtetit lokal, Presidenti Topi do të dekorojë me Urdhrin "Nderi i Kombit", komunën e Postribës. Kryengritja e armatosur e 9 shtatorit të vitit 1946 në Postribë është cilësuar si e para kryengritje antikomuniste në të gjithë vendet e Evropës Lindore. Kryengritja e Postribës kujtohet në Shkodër si një nga ngjarjet më të dhimbshme, pasi diktatura komuniste vrau gjatë përleshjes 21 burra, si dhe pushkatoi më pas pa gjyq 19 të tjerë. Ndërsa 13 persona u dënuan me burg të përjetshëm, 123 të tjerë u dënuan me vite të ndryshme burgimi, si dhe u dogjën 18 shtëpi. Qëllimi i kryengritjes ishte të sulmonin pikat kryesore të pushtetit lokal të asaj kohe në Shkodër dhe më pas të rrisnin pjesëmarrjen për të marshuar drejt Tiranës deri në çlirimin e plotë të vendit nga forcat komuniste. Por kryengritja e Postribës dështoi për shkak të mungesës së organizimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›