E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Gramshit, vjen në pranga nga Parisi Dritan Xhepexhiu

Ekstradimi

Tre vjet i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, njëri nga personat më të kërkuar, i cili konsiderohet përgjegjës për masakrën në qendër të qytetit të Gramshit me një të vrarë dhe një të plagosur, është ekstraduar një ditë më parë nga Franca. Lajmi është konfirmuar dje nga të dhëna zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, Dritan Xhepexhiu mbërriti në aeroportin kombëtar të Rinasit, i shoqëruar nga dy efektivë të Interpolit francez. Ngjarja për të cilën është ekstraduar Xhepexhiu ka ndodhur në orën 21:00 të datës 8 gusht 2005 në një lokal në qendër të qytetit të Gramshit ku dhjetëra vetë po i gëzoheshin haresë së një mbrëmjeje dasme. Sipas hetimeve të policisë, Dritani, atëherë 19-vjeçar, ka qenë brenda në lokalin ku zhvillohej dasma. Aty rreth orës 01:30 të 9 gushtit 2005, Dritan Xhepexhiu dhe Saimir Xhepexhiu, janë përplasur me Durim Hoxhën dhe Arjol Xhangollin. Mes të katërtëve ka nisur një sherr i cili përfundoi në masakër. Dritani dhe Saimiri kanë qëlluar në drejtim të dy “rivalëve”, duke i marrë jetën në vend Durim Hoxhës dhe lënë të plagosur rëndë Arian Xhangollin. Menjëherë pas krimit, që të dy u larguan për në drejtim të paditur, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes policore. Ngjarja kaloi nën proces gjyqësor dhe më datën 13 nëntor 2006 Gjykata e Rrethit Gramsh, e ka dënuar Dritan Xhepexhiun me 16 vjet heqje lirie, për veprën penale të “vrasjes me dashje” në bashkëpunim dhe “plagosjes me dashje”. Pas ekstradimit të djeshëm, policia sqaroi se në bazë të Konventës Evropianë mbi Ekstradimin, organet tona të drejtësisë kanë kërkuar ekstradimin nga Franca të Xhepexhiut, në mënyrë që të vuajë dënimin në vendin tonë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›