E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr pronësie për shkollën, arrestohet një grua dhe dy vëllezërit

Në Durrës

Sherri për pretendime pronësie mbi truallin ku po ndërtohet një shkollë në një fshat të Durrësit ka sjellë ndërhyrje policore që u pasua me arrestimin e një gruaje të re dhe dy vëllezërve të saj. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna të policisë së qytetit bregdetar, sipas të cilave, në orën 20:30 të së premtes në fshatin Gjepalaj të Durrësit, Shkëndije Elezi, 38 vjeçe, lindur e banuese në Gjepalaj të Durrësit, së bashku me dy vëllezërit e saj, Yllin 33-vjeçar dhe Elezin 42-vjeçar, nga i njëjti vendbanim, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e komisariatit të policisë Shijak. Sipas policisë, “përdorimi i fyerjeve dhe forcës nga ana e gruas dhe dy vëllezërve të saj, erdhi për shkak se efektivët e policisë po mbështesnin zbatimin e një vendimi për lirimin e një sipërfaqeje toke në të cilën do të ndërtohet shkolla 9-vjeçare e fshatit Gjepalaj, tokë e cila është zënë nga shtetasit e mësipërm me pretendimin se është pronë e tyre”. Ndërkohë që mësohet se për të njëjtën arsye, disa ditë më parë, ndaj këtyre tre banorëve të Gjepalajt ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të policisë të këtij komisariati.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›