E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parku i Antigonesë me sinjalistikë të standardeve moderne

25/01/2009  Projekt i përbashkët i ZAKPAA-së dhe Qendrës për Trashëgiminë Shqiptare

GJIROKASTËR - Ka përfunduar projekti i përbashkët i zyrës së administrimit dhe koordinimit të Parkut Arkeologjik të Antigonesë dhe Qendrës së Trashëgimisë Shqiptare për pajisjen për herë të parë me një sinjalistikë moderne të mjediseve të brendshme të Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Sipas drejtorit të këtij parku Engjëll Serjani, “Projekti për vendosjen e këtyre tabelave orientuese për turistët dhe vizitorët vendas dhe të huaj i shërben përmirësimit të sinjalistikës dhe infrastrukturës së brendshme të Parkut Arkeologjik të Antigonesë, duke u bazuar në kërkesat “për trashëgiminë kulturore dhe në eksperiencën e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe të parqeve dhe qendrave europiane turistike të lashtësisë”. Sipas projektit, në mjediset e qytetit antik të Antigonesë janë vendosur një numër tabelash treguese, që përmbajnë informacion të shkurtër historik dhe të dhëna të tjera nga gërmimet arkeologjike shumëvjeçare me tekst në shqip dhe anglisht, harta, skica dhe fotografi për qytetin antik të Antigonesë, të dhëna të cilat do të ndihmojnë vizitorët dhe turistët vendas dhe të huaj për të vizituar parkun pa praninë e ciceronit.

Gjatë realizimit të këtij projekti ekspertët e ZAKPAA-së janë angazhuar në një proces parapërgatitor pune për grumbullimin e materialit bazë historik, fotografive, skicave dhe hartave nga terreni, të cilat pas miratimit nga Këshilli Shkencor i IMK-së dhe Këshillin Kombëtar të Restaurimeve pranë MTKRS-së dhe kryerjen e të gjitha aktiviteteve të projektit në terren.

“Grupi i përbashkët i punës, i përbërë nga specialistët e parkut Ilirjan Lluri, Stefan Thimjo e Lame Aliko dhe ekspertët e Qendrës së Trashëgimisë Shqiptare, që u angazhuan në realizimin e projektit, kanë bërë një punë të lavdërueshme si në përgatitjen dhe redaktimin e tekstit, përpunimin e hartave, skicave e fotografive, ashtu dhe në përpunimin grafik të të dhënave, përgatitjen e paneleve, prandaj gjej rastin të falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer Qendrën për Trashëgiminë Shqiptare dhe Institutin e Shkencave Humane Packard, që financoi realizimin e plotë të këtij projekti”, - shprehet drejtori i parkut Engjëll Serjani.

Ndërsa drejtoria e Qendrës së Trashëgiminë Shqiptare Diana Ndrenika shprehet se vendosja për herë të parë e këtyre tabelave informuese në shqip dhe anglisht do të lehtësojë informimin e pavarur të vizitorëve dhe turistëve dhe do të krijojë mundësi për orientimin e tyre gjatë vizitave në grupe dhe individualisht në një territor mjaft të gjerë të parkut të Antigonesë. Ky park përfshin një hapësirë rreth 45 hektarë brendapërbrenda mureve rrethuese dhe fortifikuese të qytetit të lashtë të Antigonesë dhe një territor të përgjithshëm të zonës arkeologjike të vizitueshëm dhe në ruajtje të plotë prej rreth 90 hektarë, në të cilin shtrihen monumentet dhe rrënojat e Antigonesë së ndërtuar në shekullin III para Krishtit nga Pirroja, mbreti i molosëve dhe Epirit të lashtë.

Qëllimi i këtij projekti është vendosja e disa tabelave, të cilat do të përmbajnë një informacion të shkurtër historik, të plotësuar edhe me të dhëna të tjera interesante nga gërmimet arkeologjike shumëvjeçare.

Tabelat e autoguidës janë vendosur në pika të ndryshme të parkut në afërsi të monumenteve, sipas një tematike të paracaktuar nga hartuesit e projektit, që përfshin vendndodhjen e Antigonesë në luginën e Drinos, historia e qytetit, muret rrethuese fortifikuese, akropoli, urbanistika e modelit hipodamik, banesat me peristil të qytetit, agoraja, bazilika dhe mozaiku paleokristian, historikun e zbulimit, ekspeditat dhe gjetjet arkeologjike të Antigonesë

Modeli i paneleve dhe tabelave është i ngjashëm me tabelat e vendosura në Parkun Kombëtar të Butrintit. Në përmasat 100 x 80 cm janë vendosur në këndin 30 gradë me sipërfaqen e tokës për të lehtësuar leximin e tekstit nga vizitorët dhe ngrihen në lartësinë 70 cm në pjesën e përparme dhe 90 cm në pjesën e sipërme.

Printimi grafik i sinjalistikës së Antigonesë është dizenjuar dhe realizuar sipas teknologjisë më të fundit nga studioja “NVS”, printuar me ngjyra dhe në një material plastik rezistent ndaj faktorëve natyrorë dhe për të orientuar më mirë vizitorët të kënd të të gjitha tabelave treguese është vendosur planimetria me vendndodhjen e secilës tabelë.

Projekti për vendosjen e këtyre tabelave orientuese, që për herë të parë mundësojnë vendosjen e një sinjalistike dhe infrastrukture bashkëkohore në mjediset e muzeut të hapur në natyrë të të Parkut Arkeologjik Antigonesë, ka kushtuar 360 mijë lekë dhe është financuar tërësisht nga instituti i shkencave humane “Packard”.

Antigonea antike është themeluar në shekullin III para Krishtit nga Pirroja i Epirit dhe është shpallur monument kulture në vitin 1963. Parku Arkeologjik i Antigonesë ka një sipërfaqe rreth 92 hektarë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›