Lulzim Basha: Modeli ekonomik i zgjedhur, Tirana me shumë qendra

Grupi Teknik për hartimin e Planit Urbanistik të Tiranës, prezanton modelin e zhvillimit ekonomik të kryeqytetit
Grupi Strategjik i Planit Urbanistik ka nisur diskutimin mbi modelin ekonomik të Tiranës. Si rajoni më i rëndësishëm për ekonominë kombëtare, Tirana ndjen nevojën e ridimensionimit të modelit të zhvillimit ekonomik, veçanërisht në kontekstin global të rritjes dhe intensifikimit të konkurrueshmërisë midis qyteteve. Prezantimi i propozimit të grupit teknik për modelin e zhvillimit ekonomik të Tiranës u bë nga Flamur Kuçi.
Në fillim të prezantimit të tij Kuçi sqaroi protokollin e bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe bashkive e komunave rreth e rrotull Tiranës.
Kuçi ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kufijve administrativ.
“Ne nuk po ndryshojmë kufijtë, por po fusim një metodologji të re të planifikimit urban, për të ndryshuar një klimë mosbesimi që ka pasur Bashkia, në raport me zonat sub-urbane dhe për të ndërtuar një plan që të përfshijë këto rajone dhe të harmonizojnë zhvillimin urban të këtyre rajoneve”, tha Kuçi.
Në të gjithë këtë zonë që ne kemi marrë në studim, është ajo që ne mendojmë do të jenë zona e urbanizuar e qytetit, e rajonit të Tiranës, zonë e cila kufizohet, por edhe do të kufizohet, në pjesën lindore nga Parku i Dajtit, në pjesën jugperëndimore nga ai që ne synojmë ta kthejmë në një park periferik për qytetin e Tiranës (kodrat e Stërmasit, diku në Vaqarr, Farkë dhe Vaqarr, i kapin të dyja), si dhe kemi rënë dakord të identifikohet një gjurmë në pjesën perëndimore, meqenëse pjesa perëndimore e Tiranës, ndonëse është e urbanizuar nuk ka shërbime të mira nga pikëpamja e gjelbërimit, të identifikojmë një hapësirë të mundshme, diku afër rezervuarit të Kasharit, për një mushkëri të gjelbër në pjesën perëndimore. Patjetër që është rënë dakord edhe për tre parqe qyteti, parku i Liqenit, Farkës dhe Paskuqanit, ku ditët e fundit po shihet mundësia që të lidhet edhe me liqenin e Zallherit, në mënyrë që të mundësohet një park disi më i konsiderueshëm në pjesën veriore të Tiranës. Pjesa tjetër do të ketë strikt funksion dytësor, çka do të thotë se, po tentojmë të mbajmë zhvillimin, urbanizimin frenetik të këtij rajoni, brenda këtyre kontureve, pra duam të fusim konceptin “një brez i gjelbër”, si një kufi për të përmbajtur urbanizimin brenda këtyre kufijve në mënyrë që edhe shërbimet, pastaj të organizohen më mirë se ç’janë organizuar deri më sot. Anëtaret e grupit strategjik kanë miratuar propozimet e grupit teknik duke i dhënë tashmë vizualizim të qartë parqeve dhe zonave të gjelbra rreth e qark Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se do të qëndrohet fort tek parimi i një Tirane të gjelbër.
“Qëndrojmë edhe njëherë fort, por tashmë me një vizualizim të qartë të parqeve dhe zonave të gjelbra rreth e qark Tiranës, te parimi i një Tirane të gjelbër, i një Tirane me një vijë të gjelbër, përtej së cilës kufizohet urbanizimi i konsoliduar dhe ku prioritet ka konservimi i gjelbërimit aktual dhe rikthimi i gjelbërimit, përmes instrumenteve të Planit Urbanistik të Tiranës, duke përfshirë edhe transferimin e të drejtës së zhvillimit”, u shpreh kryebashkiaku, Lulzim Basha.
Grupi strategjik ka dhënë “Ok” gjithashtu edhe për konturizimin e zonës ekonomike të Tiranës e cila shtrihet përgjatë autostradës Tiranë –Durrës por natyrisht do të vazhdojë funksionimin edhe i zonave ekzistuese.
Në konceptin e Tiranës policentrike, nëpërmjet konfirmimit të funksionimit të qendrave Grupi teknik ka identifikuar pjesën poshtë Stacionit të Trenit deri në Lumin e Tiranës, pjesa e fushës së Aviacionit që mund të mbulojë pjesën perëndimore me shërbime të tipit qendër, Kombinati pjesa poshtë digës së Liqenit që ofron potenciale të mira për shërbime të qendrës rekreacionale, pjesa juglindore, prezenca e qytetit “Studenti” dhe një pellgu të mirë aty krijon mundësi për krijimin e një poli të tillë si dhe pjesa e spitalit “Nënë Tereza” që në sugjerimin tonë do të duhej edhe pak terren, pra nëse arrijmë të spostojmë shkollën e Bashkuar si dhe SHIK, fitojmë një terren shumë të mirë për të ofruar shtesë dhe për të krijuar një pol të ri zhvillimi që mbledh një pjesë të mirë të zonës lindore të qytetit. Kamza është në vetvete një lloj poli zhvillimi si edhe një lloj qendërzimi do të jetë e nevojshme edhe zona ekonomike, në pjesën e Laknasit.
“Ky është momenti për t’iu rikthyer një koncepti të cilin unë personalisht e vura në qendër të asaj pjese të fushatës time elektorale që kishte të bënte me planin urbanistik, një koncept aspak i ri, shumë i përfolur, por jo i aktualizuar, ai i Tiranës policentrike. Sot dua të shpreh kënaqësinë që pasi e kemi adoptuar dhe bërë tonin, ky koncept po mishërohet në të gjitha kuptimet në draft-planin që po përgatitet. Merita e këtij koncepti është hapja e mundësive, e hapësirave dhe zvogëlimi presionit të tmerrshëm në qendër të Tiranës me gjithë pasojat që kjo ka pasur dhe do vazhdoj të ketë në qoftë se nuk do të hedhim me vendosmëri hapat e duhur drejt Tiranës policentrike”, tha Basha.
Ndërkaq, grupi strategjik ra dakord, me parimet e prezantuara dhe skemën e transportit publik që origjinon pikërisht vendndodhja aktuale dhe vendndodhja e projektuar, sipas 4 parimeve të mëparshme të gjeneruesve kryesorë të nevojës dhe pikave kryesore aktuale të densitetit të transportit privat dhe publik, që janë edhe përdoruesit natyrisht të skemës së infrastrukturës.
“Këto 6 muaj kemi diskutuar për disa tema të hartimit të planit urban dhe të zhvillimit të territorit. E rëndësishme është që diskutimi nuk është përqendruar thjesht në konceptimin e planit urban si një vizatim që i hap rrugën disa ndërtimeve, por si një debat mbi koncepte, opsione dhe orientime strategjike, veprime konkrete dhe modele zhvillimi dhe jo thjesht vizatime. Është përmbledhja e këtyre koncepteve, modeleve dhe debateve mbi to që po formulohen në mënyrë grafike e cila përbën thelbin e punës tonë që natyrisht do të na japë edhe mundësinë e orientimit vizual mbi punën e bërë deri tani”, tha më tej kryebashkiaku, Basha.