Lulzim Basha, kandidat për kreun e PD-së së Tiranës
Emri i Lulzim Bashës i bashkëngjitet listës së kandidatëve të deritanishëm, tashmë të propozuar zyrtarisht në mbledhjet e seksioneve, si Besnik Mustafaj, Aldo Bumçi, Lajla Përnaska, Bujar Nishani dhe Edi Paloka. Të gjithë këta emra kanë arritur të krijojnë profilin e qartë politik brenda PD-së
Demokratët e bazës së kryeqytetit propozojnë ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, për postin e kreut të ri të PD-së së Tiranës. Gjatë mbledhjeve të seksioneve, të cilat pritet të mbyllen brenda dy javëve, baza ka vendosur të fusë në garë edhe z. Lulzim Basha. Emri i tij i bashkëngjitet listës së kandidatëve të deritanishëm, tashmë të propozuar zyrtarisht në mbledhjet e seksioneve, si Besnik Mustafaj, Aldo Bumçi, Lajla Përnaska, Bujar Nishani dhe Edi Paloka. Të gjithë këta emra kanë arritur të krijojnë profilin e qartë politik brenda PD-së. Por karriera e z. Basha ka njohur vetëm ngjitje dhe duket se një garë e re në krye të PD-së së Tiranës, do të ishte një tjetër risi në politikën e djathtë. Basha hyri në PD përmes KOP-it, disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 2005-s, për ta drejtuar strukturën më të re të demokratëve, e cila me rikthimin e demokratëve në pushtet, nxori një pjesë të mirë të anëtarëve të kabinetit qeveritar. Lulzim Basha u bë pjesë e strukturave të larta të PD-së përmes Kuvendit të fundit, duke u zgjedhur në kryesinë e saj dhe më pas deputet në një nga zonat e Tiranës. Lulzim Basha ka qenë ministër i Punëve Publike dhe Transporteve, dhe aktualisht drejton diplomacinë shqiptare, së cilës ka mundur t’i japë një imazh të ri në arenën ndërkombëtare. Por me zgjedhjet e reja në PD, duket se baza e kryeqytetit i beson një tjetër post të rëndësishëm, atë të kreut të ri të PD-së së Tiranës. Por ende nuk dihet nëse vetë z. Basha do të hyjë zyrtarisht në këtë garë, ndërkohë që i vetmi që ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij mbetet Besnik Mustafaj. As deputeti tjetër i PD-së në Tiranë, Edi Paloka, nuk ka fshehur ambicien për të garuar për postin që drejton prej 4 vitesh z. Sokol Olldashi. Gjithsesi, kandidaturat e propozuara nga baza do t’i nënshtrohen seksionimit deri në përzgjedhjen përfundimtare që është atribut i kryesisë qendrore të PD-së.