E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Zgjedhjet e 2009-s, tashmë të garantuara



Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve të kodit zgjedhor, PD-ja nuk sheh asnjë pengesë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 2009-n. Sipas demokratëve, tashmë është i garantuar një proces zgjedhor në përputhje me standardet evropiane. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, përshëndeti dje miratimin e ndryshimeve në Kodin Elektoral, të cilat sipas tij, "i hapin rrugën reformës zgjedhore, që është elementi më i rëndësishëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri". Patozi shprehu vlerësimin maksimal për Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili arriti të miratojë dy ditë më parë ndryshimet e nevojshme, duke bërë gati për seancë Kodin Elektoral, pas kthimit të tij në Kuvend nga Presidenti i Republikës. "Pas kësaj nuk ka më asnjë pengesë për të finalizuar reformën zgjedhore. Për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por është dashur kontributi dhe përkushtimi i shumicës së aktorëve politikë në Parlament", - tha Patozi. Pavarësisht vonesës së krijuar, ai vuri në dukje se "tashmë jemi sërish në kohë për të pasur një proces të standardeve më të mira evropiane".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›