PD mbyll fazën e parë të zgjedhjeve
Brenda dy javëve demokratët përmbyllin fazën e parë të zgjedhjeve në Tiranë, mbledhjet e seksioneve dhe propozimet prej tyre të kandidatëve për kryetarin e ri të PD-së së kryeqytetit. Në fundin e janarit të vitit që vjen është parashikuar që të nisë dhe procesi i zgjedhjeve në 11 grup-seksionet e PD-së së Tiranës. Tashmë në bazë janë të shpërndara 11 grupet e punës që do të merren drejtpërdrejt me ecurinë e procesit të zgjedhjeve. Puna e tyre është organizimi i strukturave në bazë të ndryshimeve të fundit statutore dhe përgatitja për zgjedhjen e drejtuesve të seksioneve, grup-seksioneve dhe në fund të kryetarëve të degëve. I gjithë ky proces është parashikuar që të përfundojë brenda 3-4 muajve, duke i paraprirë në këtë mënyrë fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në përfundim të këtij procesi zgjedhor, në muajin prill të 2009-s, PD-ja do të mbledhë Kuvendin Kombëtar. Me ndryshimet në statutin e PD-së, ku kryesia miratoi shkrirjen e nëndegëve, tashmë kryetarët e degëve do të zgjidhen sipas variantit të vjetër të PD-së. Ky variant parashikon që seksionet e partisë dhe grup-seksionet të propozojnë emra kandidatësh për kryetarë të degëve. Emrat e kandidatëve merren në shqyrtim nga kryesia qendrore e Partisë Demokratike. Kjo e fundit, pas diskutimeve dhe verifikimeve, i dërgon sërish grup-seksioneve, të cilat janë strukturat e partisë në bazë, emrat e dy ose tre kandidatëve. Më pas mblidhen kryesitë e grup-seksioneve, të cilat votojnë midis këtyre kandidaturave që janë propozuar nga kryesia qendrore e partisë. Pikërisht kjo do të jetë procedura që do të ndiqet për të zgjedhur kryetarin e Degës së Tiranës, ku pritet të ketë një “luftë” kandidaturash, për shkak të rëndësisë politike që ka ky post në kryeqytet. Një strukturë e re që i shtohet PD-së është dhe qarku. Pikërisht qarku do të drejtohet nga një grup individësh me një koordinator, që do të zgjidhet nga strukturat e PD-së.