Lulzim Basha prezanton te njësia nr 5 kandidaten Erisa Xhixho: Brenda nëntorit do hipotekohet çdo apartament në Tiranë

Alarmi/Në Tiranë humbet gjelbërimi, tani vetëm 2 metër katror për banor
UPDATE- “Brenda 6 muajsh do të hipotekohet çdo apartament në Tiranë”. Është ky angazhimi i shprehur nga kandiati për kryetar të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në njësinë bashkiake numër 5. Ndërsa ka prezantuar kandidaten për kryetare të njësisë bashkiake, Erisa Xhixho, Basha premtoi se pas 9 majit qytetareve do t’u ofrohet një bashki dhe kryebashkiak i një lloji të ri që do shohë dhe dëgjojë problemet e qytetareve. “Përpos vendosmërisë time për të hipotekuar dhe për të kthyer në kapitale në duart tuaja banesat ku ju jetoni, po kështu jam i vendosur, jo të zmbraps por të rikrijon bashkë me ju hapësirat e gjelbra që sot mungojnë. Hapi i parë është hedhur me kthimin e një hapësire të gjelbër, të projektuar për t’u betonizuar, hapësirës të ish klubit sportiv “Dinamo”. Jam krenar që pata mundësi të bëj këtë për sportin, për lagjen tuaj, për Tiranën. Para se të vija këtu, dola nga banesa ku ishte edhe vajza ime 4 vjeçare. Më pyeti se ku po shkoj dhe i thashë që po shkoj në një takim. Për çfarë do flasësh më tha. Për gjëra të ndryshme. A ka të vegjël aty? Mund të ketë i thashë unë. Po çfarë do t’u premtosh të vegjëlve? Ia ktheva me një pyetje se çfarë kërkon që t’i premtoj të vegjëlve nga ty? U mendua fare pak dhe më tha –“jepu një përqafim nga unë”. Pastërtia e shpirtit e të vegjëlve tanë na tregon se ku duhet të fillojmë. Ne kemi vendosur së bashku të ofrojmë një përqasje të re qeverisëse. Një bashki dhe një kryebashkiak të llojit të ri, një bashki me zemër për qytetin dhe qytetarët. Konflikti politik nuk është rruga e zgjidhjes, aq më pak rruga e vetme për qytetin tonë. Ne kemi vendosur së bashku një pakt zemrash, Tirana jonë është e para, ju jeni të parët”, deklaroi Basha. Lulzim Basha shprehu në këtë takim, angazhimin dhe përkushtimin e tij për ndërtimin e unazës së madhe e cila çliron trafikun, përmirëson cilësinë e udhëtimit dhe të ajrit në kryeqytet, sikundër hap mbi 5 mijë vende të reja pune. Po kështu, Basha tha se do të ndërhyhet në lagjet e Tiranës për t’i asfaltuar dhe krijuar hapësira të gjelbra.
Balli Kombëtar Demokrat hap fushatën në Tiranë, mbështetje për kandidatin e mazhorancës, Lulzim Basha
Kandidati demokrat: Hallet dhe problemet e qytetarëve, pjesë e programit tim
Balli Kombëtar Demokrat hapi sot fushatën elektorale në Tiranë. Kryetari i kësaj partie, Artur Roshi duke ofruar mbështetje për kandidatin Lulzim Basha shprehu bindjen se siç realizoi projektet më të mëdha të kombit shqiptar, do të ndryshojë edhe Tiranën. Sipas Roshit, komunat dhe bashkitë janë agjenci shërbimi dhe jo siç i konsiderojnë socialistët, pushtet për kryetarin. “Ju ftoj të votoni për kryetar të Bashkisë së Tiranës z Lulzim Basha. Ai është një administrator me kontribut të qenësishëm në sukseset e qeverisë së djathtë, që ka arritur vendi ynë në këto vite. Ambicia e tij është e barabartë me aftësinë e tij”- tha kreu i kësaj partie, Artur Roshi. Kandidati Lulzim Basha duke shpalosur programin, nënvizoi se punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve të Tiranës është prioriteti i tij kryesor. Basha e ka konsideruar çdo problem të qytetarëve të Tiranës si problem të tijin. “Pa patur dashuri në shpirt, nuk mund të hedhësh asnjë hap përpara në rrugën e gjatë dhe të vështirë të cilën ne do të nisim së bashku në datën 9 maj. Sepse ky qytet ka nevojë për një kryebashkiak të llojit të ri, ka nevojë për një bashki të re, një bashki me veshe për të dëgjuar qytetarët, një bashki me sy për të parë hallet e tyre, një bashki me zemër e cila do të konsiderojë çdo problem të qytetarëve si një problem të vet. Unë ju siguroj se vlerë mbi vlerat, program mbi programet, zotim mbi zotimet e kryebashkiakut tuaj të ardhshëm, është të konsiderojë çdo problem të qytetarit e qytetit si problem tim personal”- tha Basha. Ndërkaq, politikani i njohur Sabri Godo shprehu bindjen në fitoren e Lulzim Bashës, pasi siç tha ai, Basha po u çel shpresën banorëve të Tiranës. Sipas Godos, çdo ditë shtohet mbështetja për Lulzim Bashën dhe programin e tij. “Gjithnjë e më tepër binden qytetarët e Tiranës se duhet të zgjedhin Lulzim Bashën, nëse duan të heqin nga vetja e tyre një barrë të madhe që mbajnë në këtë katrahurë që quhet sot Tirana. Unë i dashur Lul, jam me zemër të ngrohtë, megjithatë t’i vijo takimet me qytetarët, thuaje fjalën tënde sepse njerëzit janë duke dëgjuar dhe je duke u çelur shpresën”- tha Godo.
Alarmi/Në Tiranë humbet gjelbërimi, tani vetëm 2 metër katror për banor
Tirana ka humbur hapësirat e gjelbra. Nëse popullsia në kryeqytetet është rritur disa fish krahasuar me 20 vite më parë, hapësirat e gjelbra janë drejt zhdukjes krahasuar me normën e Bashkimit Evropian, e cila është 7 metër katror për banor. Kështu shprehet për 55-ën, ish-drejtori i Gjelbërimit të Tiranës deri në vitin 2000, Hafiz Marku. “Tirana ka patur në vitet ’90 mbi 10 metër katror gjelbërim për banor. Në vitin 2000, Tirana ka patur 3 metër katror gjelbërim për banor. Por e keqja më e madhe qëndron në faktin se edhe pas 11 vjetësh megjithëse janë bërë disa punime vogla, janë mbjell disa bimë përsëri sipërfaqja e gjelbër për metër katror për banor në Tiranë nuk është as 3 metër, por është 2.8 metër”- tha Hafiz Marku, ish-drejtor i Gjelbërimit të Tiranës.
Por përballë kësaj situate shqetësuese, e cila ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës në kryeqytet, ekspertët e mjedisit propozojnë disa zgjidhje.
“Janë mbi 40 rrugë në qytetin e Tiranës që nuk kanë akoma bimë, nuk kanë gjelbërim rrugor, dekorativ. Mund të krijohen më shumë se 70 apo 80 lulishte të vogla ose parqe në mes të pallateve, mund të shtohen edhe pjesë të parqeve më të mëdha të qytetit”- tha Marku.
Mungesën e hapësirave të gjelbra në Tiranë vetëm disa javë më parë e pranuan dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët u shprehën se si pasojë e reduktimit të tyre, ndotja e ajrit në kryeqytet ka arritur shifra alarmante.