Berisha: Do punojmë me përkushtim për t’i shërbyer qytetit dhe qytetarëve

PD dhe “Aleanca për Qytetarin”, çelin fushatën elektorale në Berat, prezantohet kandidati Ilir Deçolli
Shefi i ekzekutivit premton në Berat se gjatë 4 viteve të ardhshme, kryetari i ri i bashkisë, Ilir Deçolli, do ta kthejë këtë qytet në qytetin më të rëndësishëm në Shqipëri si nga pikëpamja turistike ashtu dhe nga ajo e transportit e akademike. Përmes një tubimi madhëstor, Berisha premtoi se qeveria do investojë çdo projekt në interes të qytetit dhe qytetarit. Po ashtu, kreu i qeverisë lajmëroi tenderimin e rrugës Lushnje –Berat si dhe fillimin e punimeve të Elbasan-Tiranë, gjatë ditëve të para të muajit maj
Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin” prezantoi dje në Berat kandidatin për kryetar Bashkie, Ilir Deçolli, në prani dhe të kryeministrit të vendit Sali Berisha. Përmes një mitingu madhështor në qendër të qytetit kryeministri Berisha shprehu mbështetjen për çdo projekt zhvillimor për qytetin e Beratit dhe qarkun e Beratit, ndërsa theksoi se këtij qyteti i nevojitet një ndryshim thelbësor, për t’i shëmbëllyer progresit të shumë anshëm të Shqipërisë. Berisha tha se 4 vitet që vijnë, do ta shndërrojnë Beratin në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. Sipas kryeministrit, kryetari i ri i bashkisë, humanisti i vërtetë dhe qytetari shëmbëllor, do punojë me përkushtim për t’i shërbyer qytetit dhe qytetarëve. “Dua të shpreh kënaqësinë time që paraqes sot, para jush, për qytetar të parë të Beratit një nga djemtë më të përkushtuar, një humanist të vërtetë, një qytetar shembullor të qytetit tuaj, zotin Ilir Deçolli, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Beratit, si dhe t’ju garantoj se me Ilir Deçollin, në 4 vitet që vijnë do ta shndërrojmë Beratin në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. Beratin, këtë margaritar në kurorën e bukurive të këtij vendi, këtë margaritar të vërtetë në kurorën e trashëgimeve të mëdha të këtij vendi, ne do ta bëjmë të njohur në mbarë botën. Së bashku, me dashurinë tonë për Beratin, me përkushtim të madh ia dolëm që qyteti juaj të vendoset midis qyteteve dhe trashëgimive botërore më të rëndësishme. Na përket neve tani, të rindërtojmë e ndërtojmë këtë qytet në parametrat më modern, na përket neve ta shndërrojmë Beratin në një nga polet më të fuqishme turistike të Shqipërisë, në një nga qendrat më të fuqishme të prodhimit industrial e bujqësor, në një qendër të fuqishme të jetës akademike të vendit”- u shpreh kryeministri Berisha në prezantimin e kandidatit Deçolli. Kreu i qeverisë solli në vëmendje se gjatë viteve që shkuan ka ndërtuar e rindërtuar në qarkun e Beratit 430 kilometra rrugë. Ai premtoi se 4 vitet që vijnë do të ndërtohen të gjitha rrugët e akset e këtij qarku, ndërsa theksoi se në fund të këtij muaji do tenderohet fillimi i punimeve të rrugës Lushnje- Berat. “Në fund të muajit prill fillon rindërtimi i rrugës Lushnje-Berat, në fund të muajit prill fillon ndërtimi i segmentit të parë e më të rëndësishëm të Boshtit të Jugut Tiranë-Elbasan prej 430 milion dollarë, ka përfunduar projekti i segmentit Berat-Tepelenë, 32 kilometra me 320 milion dollarë, vazhdon ndërtimi i segmentit Belsh-Berat. Berati do të jetë një nga nyjet më të rëndësishme të transportit në vend. Gjatë 4 viteve, në këtë qark kemi ndërtuar e rindërtuar 45 shkolla, do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë të këtij rrethi, në çdo fshat, komunë të tij. Janë ndërtuar 18 sisteme ujësjellës-kanalizimesh, po investohen për ujësjellësin e furnizimin me 24 ujë të Beratit, Kuçovës e Urës Vajgurore edhe 14 milion euro të tjera, në energjinë elektrike janë investuar mbi 24 milion euro, për përmirësimin e furnizimit me energji”- deklaroi Berisha.
Shefi i ekzekutivit foli dhe për politika të qeverisë në favor të fermerëve. “Për ne rëndësi parësore ka që të bëjmë të mundur që ju, qytetarët e fermerët e Beratit, ju, qytetarët e fermerët shqiptarë kudo që jeni të mund të ndërtoni jetën tuaj, të mund të mëkëmbeni gjithnjë e më shumë, të shkëputemi gjithnjë e më shumë nga varfëria, të ecin drejt prosperitetit. Në qarkun tuaj, gjatë 4 viteve që shkuan, qeveria ka subvencionuar 2000 hektarë, nga të cilat 1600 ullishte. Berati qëndron në krye të gjithë Shqipërisë për mbjelljen e drurëve frutorë dhe kanë përfituar nga kjo 5900 fermerë. Aplikuesit e përfituesit e granteve të qeverisë në ferma këtë vit kanë qenë 1800 fermerë, 700 hektarë, 2 herë më shumë se në vitin 2010. Dua të garantoj fermerët e Beratit se ne do të subvencionojmë çdo rrënjë ulli, arrë, qershie, lajthie, fiku e çdo dru frutor që do të mbillni”- premtoi kryeministri.
Gjithashtu, kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria në rrugën e saj të suksesit s’e ka patur të lehtë dhe se me mundime e sakrifica ia arriti të bëhej pjesë e aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake në botë, NATO. “Ne rrugën tonë, ne nuk e kemi pasur të lehtë. Kjo rrugë ka qenë një rrugë me lodhje, me sakrifica, me mundime, por ka qenë një rrugë me dinjitet të madh, një rrugë me sukses të padiskutueshëm, një rrugë, në të cilën ne, burrat e gratë e Beratit e të mbarë Shqipërisë ia dolëm ta anëtarësojmë Beratin, ta anëtarësojmë Shqipërinë në NATO”- vijoi kryeministri, duke shtuar se ky sukses do pasohej nga liberalizimi i vizave Shqipëri-BE si dhe vlerësimi i agjencive botërore, “Shqipëria destinacion turistik”. “Ia dolëm së bashku që Beratin e Shqipërinë ta shpallim këtë vit destinacionin kryesor turistik të botës, ia dolëm që ju, qytetarë të Beratit, qytetarë të Shqipërisë të lëvizni të lirë në mbarë Europën”. Po ashtu, sipas kryeministrit edhe ekonomia ka hedhur hapa galopantë, nëse i rikthehemi hendekut të madh të disa viteve më parë. Berisha solli në vëmendje se në pak vite u dyfishuan pagat dhe pensionet dhe se i njëjti ritëm do vijojë dhe për vitet në vijim. “Ne, që pak vite më parë ishim ekonomia më e sëmurë, më e falimentuar në Europë, sot qëndrojmë në krye të rritjes ekonomike në Europë. Sot, në Berat e në mbarë Shqipërinë rritet prodhimi. Shqipëria renditet ndër më të paktat vende, në të cilat jo vetëm nuk është rritur, por është ulur papunësia edhe në vitet e krizës më të madhe europiane. Këto vite, Shqipëria ecën drejt konsolidimit të prodhimit të saj bujqësor, industrial e të gjithanshëm. Ne ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta, ia dolëm të dyfishojmë rrogat, ia dolëm të lëmë mbrapa edhe vende anëtare të Bashkimit Europian, përsa i përket rrogave mesatare e pensioneve. Kjo është rruga jonë. Rrugë, në të cilën ne jo pa mundime kemi arritur të shndërrojmë më realitet disa ëndrra ndër më të bukurat të jetës sonë, të fëmijëve tanë. Ne jemi të sigurt se 4 vitet që vijnë zhvillimi, progresi, përparimi, mëkëmbja do të jenë së paku 4 herë më të mëdha. Kjo është alternativa, e cila ka në epiqendër secilin prej jush, interesat, djersën, mundin, vizionin tuaj, të fëmijëve tuaj, të familjeve e komuniteteve tuaja”- tha Berisha. Kryeministri shtoi gjithashtu se krahas kësaj alternative që kujdeset për qytetin dhe qytetarin, ekziston edhe një alternativë tjetër, alternativë e rrugës së vetme. “Po të ktheni kokën për një moment dhe të vështroni drejt rrugës së vetme, çfarë gjeni në atë rrugë? Nihilizma, sharje, mallkime rënkime, kjo është rruga e vetme. Ndaj dhe unë ju ftoj të mos merremi me disfatën e kalorësve të rrugës së vetme, të mos merremi me ata, të cilët kanë si politikë të vetme përbaltjen e kundërshtarit, sepse nuk kanë asnjë projekt, asnjë vizion, asgjë për t’u ofruar qytetarëve, sepse për ata rëndësi ka karrigia e pushteti i tyre. Por së bashku ta shndërrojmë këtë muaj në muajin e ndërtimit, në muajin e skicimit të projekteve më të bukura për Beratin, për Shqipërinë. Le ta bëjmë këtë një dialog intensiv, në të cilin në epiqendër të jeni ju, djemtë e vajzat, burrat e gratë e Beratit, se Beratin ju e njihni më mirë se çdo ministër, se çdo kryeministër e se kushdo tjetër. Ju e keni sjellë Beratin në shekuj e mijëvjeçar, ju sollët këtë perlë të madhe të bukurive shqiptare, e vendosëm në UNESCO, e vendosëm në kurorën e pasurive botërore. Në mendjen e imagjinatën tuaj është Berati i bukurive të mëdha të ardhshme, Berati i ardhshëm, Berati juaj e i fëmijëve tuaj. Ndaj të mos merremi me dështimet e të tjerëve, por të merremi me vizionin tonë si të ndërtojmë Beratin që meritojmë”- mbylli fjalimin e tij kryeministri Berisha, duke i bërë thirrje qytetarëve të Beratit që në 8 maj të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Ilir Deçolli.
Leonard Quku