Lulzim Berisha “humb” sërish dy avokatët e zgjedhur prej tij
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda ndryshoi dje përfaqësuesit ligjorë të të pandehurit Lulzim Berisha, i akuzuar si kreu i bandës së Durrësit. Vendimi u mor dje pas mungesës në këtë gjykatë të avokatëve Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia. Mungesa e avokatëve solli pezullimin e procesit ndaj bandës së Durrësit. Trupa gjyqësore, e drejtuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, vendosi caktimin e avokatit Fatmir Braka për të mbrojtur të pandehurin Lulzim Berisha. Procesi ndaj kësaj bande, i nisur që mesin e vitit të kaluar, po shoqërohet me ndërprerje të shumta përgjithësisht për mungesë të palës mbrojtëse. Në këtë proces janë 16 persona, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, si vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës dhe Tiranë në kuadër të "organizatës kriminale". Pjesa më e madhe e të pandehurve janë arrestuar gjatë këtyre tre viteve të fundit nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Krimet e Rënda: Burgim të përjetshëm për Gaxhain dhe miqtë e tij
Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje burgim të përjetshëm për Gazmend Brakën, i njohur me nofkën “Gaxhai”, si dhe për disa të pandehur të tjerë që cilësohen si miqtë e tij. Dosja e dytë për disa nga vrasjet e ndodhura në qytetin e Vlorës tashmë është drejt fundit. Prokurorët e çështjes, pas një procesi maratonë, rilexuan dje të gjitha akuzat që rëndonin mbi të pandehurit duke kërkuar dënimin maksimal për të gjithë. Ndërkohë, Gaxhai është në burg prej vitesh pasi e ka marrë një vendim po kaq maksimal nga Gjykata e Tiranës. Kjo dosje kaloi pak kohë më parë për llogari të Krimeve të Rënda për shkak të akuzave. Të pandehurit e tjerë të këtij procesi janë: Armando Sulejmani, Sokol Sinomati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu. Për të gjithë këta të pandehur, prokurori kërkoi të njëjtën masë dënimi, atë të burgimit të përjetshëm. Për ta është ngritur akuza për disa ngjarje të ndodhura gjatë trazirave të vitit 1997.
Konflikti mes dy vëllezërve i merr jetën një 3-vjeçari që gjendej aty rastësisht
Tiranë – Konflikti mes dy personave në periferi të Tiranës ka arritur deri atje sa t’i marrë jetën aksidentalisht një fëmije trevjeçar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Shkozë” të Tiranës, - bënë të ditur dje për gazetën “Albania” burime të Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Dy vëllezërit, Bexhet Shaban Vogli 33 vjeç dhe Sali Shaban Vogli, 24 vjeç, të dy banues në Shkozë, janë përplasur mes tyre për shkak të një konflikti për motive të dobëta. Në një moment acarimi, ata janë grindur dhe goditur me grushte me 40-vjeçarin Ilir Faslliu, të cilit i kanë shkaktuar plagë të lehta në fytyrë. “Si pasojë e këtij sherri, ka gjetur vdekjen një fëmijë 3-vjeçar, i cili është ndodhur rastësisht në vendngjarje gjatë kohës së këtij konfliktit”, - tha policia, pa dhënë hollësi të tjera. Pas mbërritjes në vendngjarje, forcat policore ndërmorën arrestimin në flagrancë të dy vëllezërve Bexhet dhe Sali Vogli, të cilët i akuzon për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.
10 Mars 2009