E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lume Blloshmi vjen me Likuidim total

Ekspozita

“Okazion – likuidim total!” Duket në fakt si një nga tabelat që na takon më shpesh të shohim vitrinave të dyqaneve. Në fakt është një ngacmim i nisur pikërisht nga kjo formë e “dhunshme” publiciteti që Lume Blloshmi të gjente materialin për një ekspozitë. “Okazion-likuidim total!” titullohet ekspozita që Blloshmi do të çelë më 20 dhjetor në galerinë “Zeta”. Është një instalacion-performancë që vë në lojë pikërisht botën e madhe të konsumit dhe rregullat me të cilat ajo funksionon. Publiciteti e bën të shitshëm dhe të mirë një mall edhe atëherë kur mund të mos jetë i tillë, një luftë e ngjashme për mbijetesë. Këto ngacmime nuk janë më të rastit për piktoren Lume Blloshmi. Kujtojmë se një vit më parë Blloshmi ngjalli kureshtjen me ekspozitën e saj “It's a wonderful life”, një pikëvështrim i saj mbi politikën dhe personazhet e njohura. “Postmodernizmi, përdorim ironik i imazhit në kontekst të ri kuptimor, në këtë instalacion shfaqet edhe si një imazh që kërkon të kontestojë një botë imazhi të përkundërt, atë të ‘ikonologjisë’ së mallrave dhe hegjemonisë që synohet përmes betejave publicitare të letrave dhe lavazhit të trurit të atij që i adresohen. Informacion, propagandë, publicitet! Ky trekëndësh deborian që mund të përkthehet artistikisht ble-ble-ble, shfaqet shpesh edhe si një trakt që apelon refuzimin: mos e merr, mos e bli, mos e prek me dorë askund tjetër një produkt si ky, përveçse këtij këtu të prodhuar prej meje! Edhe vetë Borgesi, i cili prej hapësirave të mendimit që rrok erudicioni i vet e pat humbur sensin e çudisë, shkroi se kish mbetur i habitur sesi në erën e re të tregut të pafre mallrabërësi e mburr pa fre mallin që ka sajuar, pa e ndier asfare turpin prej britmash mendjemadhësie. Ndërsa reagimi performativ dhe abstragimi i artit të Blloshmit na ofron thjesht trakte të bardha”, shkruan kuratori Krenar Zejno për këtë ekspozitë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›