Lundronte në internet, doktori i vret pacientët me 10-fishin e morfinës

Rajendra Kokkarne
Një doktor po gjykohet në Britaninë e Madhe për neglizhencë dhe dozim të gabuar të ilaçeve që u kanë shkaktuar vdekjen dy pacientëve.
Mjeku me origjinë indiane Rajendra Kokkarne, i ka dhënë dozën e qetësuesve përmes telefonit një infermiereje të azilit ku jetonin dy pacientët e tij: Beryl Barber, 78 vjeç dhe Eric Watson, 86 vjeç.
Ai që duhej të ishte njeriu që do tu lehtësonte dhimbjen dy të moshuarve, në fakt i ka dhënë infermieres një sasi 10 herë më të madhe se doza normale e morfinës, sepse ishte duke lundruar në internet. Prokurorët thanë se në kohën kur ai po caktonte dozën e morfinës nëpërmjet telefonit, po shikonte edhe sport dhe shkëmbente e-maile në kompjuterin e tij.
Akuza pranon se një pjesë e përgjegjësisë për vdekjen e dy pacientëve është edhe e infermiereve dhe farmacistit, por i akuzuari kryesor mbetet doktori, i cili është specialist dhe di efektin e ilaçeve të tilla në pacientë të moshave të mëdha. / Gazmira Ndoja