Lushnja-Partizani, finalja e mbijetesës
Lushnja-Partizani do të jetë “finalja” e mbijetesës në Kategorinë Superiore, parë dhe kalendarin e tri rivalëve të tjerë: Apolonisë (ndeshet kundër Shkumbinit), Bylisit (kundër Dinamos) e Elbasanit (kundër Teutës). Të “Kuqtë” fituan me Elbasanin 2-1 në një ndeshje shumë të tensionuar, falë dy golave të golashënuesit më të mirë të tyre, korçarit Marius Ngjela, i cili realizoi në minutat 11-të e 88-të, që bëri edhe të pavlefshëm penalltinë e realizuar nga Renato Yshmeri (77’), pas frenimit të kapitenit të Elbsanit Julian Ahmatajt nga ai i Partizanit, Orges Shehi. Partizani ndodhet në kuotën e 36 pikëve, ndërsa Lushnja në atë të 33 pikëve. Skuadra e Duros vjen në përballje direkte me golaverazhin 27-35 (-8 gola), ndërkohë që Lushnja e ka atë 24-34 (-10 gola). Kjo do të thotë, që Lushnja duhet të fitojë me një diferencë mbi tre gola për t’u barazuar me pikë me Partizanin dhe ta kalojë atë në golaverazh e ta lërë pas saj.
Rregullorja
Përcaktimi i renditjes së klubeve të futbollit për të gjitha kategoritë, për dhënien e titujve që ndahen në fund të kampionatit, klasifikimin përfundimtar, ekipet që ngjiten ose bien dhe ato që kanë të drejtën e pjesëmarrjes në kompeticionet e UEFA-s, do të vendoset si më poshtë. Në rast pikësh të barabarta ndërmjet 2 ose më shumë skuadrave, veprohet duke mbajtur parasysh këtë rregullore:
1) Pikët e grumbulluara si rrjedhojë e takimeve direkte ndërmjet këtyre dy skuadrave.
2) Diferencën e golave të shënuar dhe të pësuar në takimet direkte.
3) Diferencën e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë gjithë kampionatit.
4) Numrin më të madh të golave të shënuar gjatë gjithë kampionatit.
5) Me short
Bien direkt nga kategoria dy klubet e futbollit, të cilat në përfundim të kampionatit janë renditur në vendet 11 dhe 12. Klubet që në përfundim të kampionatit janë renditur në vendet 9 dhe 10 do të zhvillojnë një ndeshje “play-out” me ato klubet, të cilat në përfundim të kampionatit të Kategorisë së Parë janë renditur në vendin e 3-të e të 4-t. Kështu, 9-ta do të luajë me 4-n, ndërsa 3-shi me 10-n.
Elbasani me “një këmbë në varr”
Elbasani mund të rikthehet (me 99%) pas gjashtë sezonesh në Kategorinë e Parë, edhe pse Bashkia e Elbasanit e presidenti (ende i burgosur) Arben Laze shpenzuan shuma të jashtëzakonshme (rreth 600 milionë lekë të vjetra) në merkaton verore e dimërore, duke pasur në gjirin e vet disa futbollistë cilësorë. Elbasani do të luajë javën e fundit në shtëpi me Teutën (pa asnjë objektiv), por dhe Bylisi luan me Dinamon (pa asnjë objektiv)e Apolonia luan kundër Shkumbini (pa asnjë objektiv), ndërsa Lushnja e Partizani do të diskutojnë “finalen e vogël” të mosrënies direkt nga Superliga. Në fakt, është për të ardhur keq për Elbasanin, që në periudhën 2002-2009, arriti të shpallej kampion në sezonin 2005-2006 dhe nënkampion në atë 2004-2005. Për herë të fundit në Kategorinë e Parë, Elbasani ka qenë në sezonin 2001-2002.
“Trukohet” rezultati, Magani jep dorëheqjen
Trajneri Gugash Magani dha në mënyrë befasuese dorëheqjen nga drejtimi i Shkumbinit, vetëm pak minuta nga fillimi i takimit Shkumbini-Bylis (0-2), i luajtur në asnjanësin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Në media u përfol për një tolerim të mundshëm të skuadrës peqinase ndaj ballshiotëve, ndërkohë që vetë Magani e konfirmoi faktin se ndeshja do të fitohej nga Bylisi, ashtu edhe siç ndodhi në fakt. Pas një pjesë të parë pa gola, Bylisi fitoi me dy gola të afrikanit Shiroke, të realizuar në minutat 48’ e 86’, duke i dhënë një tjetër shans mbijetese ballshiotëve, të cilët në ndeshjen e fundit të këtij sezoni do të luajnë në “Adush Muça” kundër Dinamos. Pas dorëhëqjes së Gugash Maganit, i vetmi i trajner mbijetuar gjatë këtij kampionati është Sulejman Starova i Teutës.
Laçi, kampion i Kategorisë së Parë
Laçi u shpall kampioni i Kategorisë së Parë, duke fituar edhe të drejtën për të luajtur sezonin e ardhshëm në Superligë. Skuadra e Edi Martinit fitoi në shtëpi me Naftëtarin (e rënë nga kategoria). Në ceremoninë e dorëzimit të trofeut të kampionatit ishte i pranishëm presidenti i FSHF-së, Armand Duka e zyrtarë të lartë lokalë. Edhe Skënderbeu (e kishte pushim këtë javë për shkak se kalendari e vuri përballë Tërbunit të përjashtuar) u ngjit në Superligë. Kastrioti (vendi i tretë) e Gramozi (vendi i katërt) do të diskutojnë ndeshje play-out me dy ekipet e Superligës, që do të renditen në vendet 9-10.
PLAY-OYT
Nga Kategori a Parë ranë Naftëtari e Tërbuni, ndërsa në play-out me dy skuadrat të renditura të dytat në Kategorinë e Dytë, Mamurrasi e Vlora, do të luajnë Bilisht Sport e Pogradeci.
KATEGORIA E DYTË
Në Kategorinë e Parë nga Kategoria e Dytë u ngjitën Gramshi (Grupi i Veriut) e Memaliaj (Grupi i Jugut), që do të diskutojnë midis tyre edhe titullin kampion të Kategorisë së Dytë.
18 Maj 2009