Me Besëlidhjen, trajneri Meta mund ish-skuadrën e zemrës, Partizanin
Në pjesën e parë të kuqtë e kryeqytetit kanë luajtur më mirë se lezhjanët, të cilët në të dytën kanë rikuperuar në lojë
Nga ILIR CARA
Besëlidhja – Partizani 2-1
Shënues: Çutra 6, Gega 78 / Lini 30 (11-m)
Besëlidhja: Xhika, Shytani, Kepi, S. Danaj, K. Dibra, Gruda, Pepa, Çutra, Malasi, A. Dibra, Ziri. (U aktivizuan: Noka, Shyti, Neka, Gega, R. Danaj). Trajner: S. Meta
Partizani: Malaj, Hithi, Alcani, Duqi, Kapaj, Sulçe, Lini, Tafa, Djepaxhia, Buliq, Karakaçi. ( U aktivizuan: Nasufi, Gjoka, Bleta, Çema, Levendi, Çuçi). Trajner: N. Çoçlli
Partizani ka qenë dje mysafir në Lezhë për të zhvilluar miqësoren e radhës, e cila u fitua nga Besëlidhja me rezultatin 2-1. Pra fitues ka dalë skuadra e trajnerit Sokol Meta, i cili ka arritur të mposht ish- skuadrën e zemrës, Partizani, ekip që e bëri të njohur si futbollist. Pjesa e parë është dominuar nga Partizani, i cili është ndëshkuar që në minutën e gjashtë nga Çutra, i cili nga një distancë rreth 30 metra ka konkretizuar një goditje dënimi. Në minutën e 30-të Buliq fiton një penallti, e cila është realizuar nga Lini. Portën lezhjane e mbron ish- portieri i Partizanit, Dashamir Xhika, i cili për pak sa nuk e ndaloi gjuajtjen e goditur nga Lini. Ndonëse me një dominim të kuq, pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1. Në pjesën e dytë të dy trajnerët bëjnë zëvendësime të shumta, zëvendësime të cilat ndikojnë për mirë tek Besëlidhja, që luan më qartë se kundërshtari. Në minutën e 78-të Gega nga një distancë rreth 25 metra shënon golin e dytë dhe të fitores për vendasit. Duke nisur nga e hëna të dy ekipet do të nisin të mendojnë më konkretisht për startin e sezonit. Gjithsesi të dy stafet teknike në përgjithësi kanë mbetur të kënaqur nga paraqitja e skuadrave në miqësoren e zhvilluar në Lezhë.
