E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançesteri dridhet nga derbi

12/02/2005  Skuadra e Kevin Kigan pas barazimit me Çelsin kërkon ta ndali edhe djajtë e kuq

Pasi arriti një barazim të pamenduar ndaj Çelësit, Mançester Siti do të tentojë që të bëhet pengesa e dytë, tani ndaj rivalit lokal, Mançester Junajtid kur të përballet me të ditën e dielë. Skuadra e drejtuar nga Kevin Kigan e përfundoi 0:0 ndeshjen e luajtur në “Stamford Brixh”, duke e reduktuar në nëntë pikë kryesimin e Çelësit dhe tani synon të bëjë të njëjtën gjë me Mançester Junajtid. Me skuadrën e Fergusonit, Mançester Siti barazoi në fazën e parë në “Old Traford” dhe duke shfrytëzuar avantazhin fushë do të kërkojë që të bëjë më shumë se barazimi. Mançester Junajtid, që ka fituar 12 në 14 ndeshjet e fundit në ligën e parë, duke e mbajtur brenda rrezes së shikimit Çelësin, duhet të kujtojë atë humbje 1:4 në derbin e qytetit sezonin e kaluar, që i dha fund shpresave të skuadrës së Fergusonit për titull kampion. Shon Rajt Filips shënoi golin e katërt në fitoren e arritur në marsin e vitit të kaluar dhe sulmuesi i ri, do të kërkojë që të kopjojë atë shembull të sezonit të kaluar, duke larguar dhe atë zhgënjim që ndjeu në shpërdorimin e disa shanseve për gol në ndeshjen miqësore të Anglisë me Holandën, 0:0, në mesjavë. Portjeri i Mançester Sitit, Devid Xhejms ishte inspirues në atë barazim pa gola me Çelësin, ndërkohë që pritja e tij në fund pas gjuajtjes së Frenk Lampard ishte e mrekullueshme. Sulmuesi i Anglisë, Uejn Runi ka shënuar pesë gola në shtatë ndeshjet e fundit për formacionin e Aleks Ferguson, ndërsa po rritet dhe loja e francezit Luis Saha pas riaftësimit nga dëmtimi në gju. Fitorja për Mançester Junajtid është esenciale pasi me të ruan presionin ndaj Çelësit, që mund të krijojë largësinë prej 12 pikësh nëse të shtunën fiton me Evertonin në fushën e këtij të fundit. Skuadra londineze do të jeë pa sulmuesin holandez Arjen Roben, që ka pësuar frakturë në këmbë dhe trajneri Hoze Murinjo do të shpresojë që skuadra e tij do të gjejë inspirimin sulmues dhe pse mungon loja krijuese e holandezit Roben. Barazimi pa gola me Mançester Sitin, ishte ndeshja e nëntë për Çelësin që ruante të paprekur portën, por portjeri Çeh do të përballet me sulmues të tillë të Evertonit si Xhejms Biti, Markus Bent dhe Dunkan Ferguson, që do të tentojnë ta thyejnë dhe t’i japin fund barazimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›