E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Bashkia e Tiranës të investojë në infrastrukturën e ujërave të zeza

Meta dhe të rinjtë e LRI pastrojnë një kanal të ujërave të zeza në Kombinat
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i shoqëruar nga dhjetëra të rinj së bashku dhe me Kryetaren e LRI, Erisa Xhixho, zhvilluan dje një aksion për pastrimin e një kanali të ujërave të zeza në periferi të zonës së Kombinatit. Bazuar në sloganin Është Koha për Veprim dhe Rinia është në Veprim. Prej vitesh ky kanal gjendet i mbushur plot me plehra, duke vështirësuar së tepërmi jetesën e banorëve që jetojnë përreth këtij kanali. Vetë banorët kanë kërkuar ndihmë që të zgjidhet kjo situatë e rëndë për to, por deri tani nuk janë akorduar fondet përkatëse për investimin dhe zgjidhjen e këtij problemi shqetësues. Meta së bashku me të rinjtë e LRI, i shoqëruar edhe nga Kryetarja e Minibashkisë së Kombinatit, Luzhiana Abazi dha kontributin e tij për pastrimin e kanalit, sepse është Koha për Veprim, duke bërë dhe një apel për pushtetin vendor dhe Qeverinë, që të gjenden zgjidhje për tju ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave, që jetojnë në kushte kaq të vështira, duke ndjerë gjithë ditën erën e rëndë të ujërave të zeza. Kryetarja e  Minibashkisë së Kombinatit, Luzhiana Abazi u shpreh se ky kanal ka krijuar dhe përmbytjet e disa javëve më parë. Kjo është një nismë e ndërmarrë nga LRI në bashkëpunim me njësinë bashkiake, për të bërë pastrimin e këtij kanali, i cili, shumë shpejt, për vitin e ardhshëm, është futur në projektbuxhet, për tu bërë ashtu siç po bëhet dhe kanali i Misto Mames.Ndërkaq Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Erisa Xhixho theksoi se të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim janë sot këtu në vazhdën e iniciativave tona sociale në ndihmë të komunitetit. Sot mendoj se ka ardhur Koha për Veprim, koha për aksione konkrete, dhe jo për fjalë të shumta. Të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim do të jenë në ndihmë të komunitetit të Kombinatit, por dhe të gjithë Tiranës, në mënyrë që me ato pak forca dhe me ato mundësi që kemi të bëjmë diçka sot, për të bërë  akoma më shumë nesër.Ndërsa lideri i LSI, Ilir Meta falenderoi kryetaren e Njësisë bashkiake dhe kryetaren e Lëvizjes Rinore për Integrim, Luzhiana Abazi dhe Erisa Xhixho, për këtë iniciativë të përbashkët. Në mënyrë të veçantë do të falënderoja të gjithë këto vajza dhe djem të rinj, që iu përgjigjën kësaj thirrjeje, kësaj iniciative, pasi është vërtetë Koha për Veprim, u shpreh Meta. Më pas, lideri i LSI, Meta theksoi se ky kanal këtu nuk është i vetmi, janë shumë të tillë jo vetëm në Kombinat, por në të gjithë kryeqytetin. Ju e shikoni se çfarë gjendje e rëndë është, se çfarë problemi është për këta mijëra banorë që jetojnë këtu dhe kjo, padyshim, që na bën një thirrje për të vepruar, jo vetëm neve, me qëllim për të ndihmuar dhe për të dhënë një kontribut duke pastruar këtë kanal, që kur të bien shirat të mos ketë përmbytje për komunitetin. Apeli i liderit të LSI i është drejtuar njëkohësisht edhe pushtetit vendor, drejtuar qeverisë, drejtuar edhe komunitetit,që sipas tij, kjo për të bashkërenduar në mënyrë që kryeqyteti ynë të jetë vërtet një kryeqytet i standardeve europiane, përsa i takon infrastrukturës. Të mos ketë rreziqe dhe shqetësime të tilla për banorët, që vijnë nga përmbytjet, që vijnë nga mospastrimi i këtyre kanaleve, nga mos investimi në rregullimin e kësaj infrastrukture dhe padyshim që i bëjmë edhe një thirrje shpirtit rinor, që kërkon një jetë më të mirë për të shpenzuar sa më shumë energji të jetë e mundur në aktivitete të tilla, në ndërmarrje të tilla, të cilat vërtet janë edhe të lodhshme, edhe të mundimshme, por që tregojnë sinjale të qarta se rinia shqiptare nuk mund të durojë atë situatë mjedisore, atë standard të dobët në infrastrukturë, tha Meta, duke theksuar se rinia shqiptare nuk mund të durojë as edhe atë indiferencë që vihet re, sidomos për shumë zona periferike, po të mos harrojmë se më shumë se gjysma e kryeqytetit jeton në zona të tilla. Ju e shikoni se çfarë ere bie këtu, se çfarë situate kritike është këtu dhe se sa e vështirë është për ti rritur fëmijët këtu, u shpreh kreu i LSI, Meta

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›