Topalli- Benda: Çekia pro hapjes së portave për lëvizjen e lirë të qytetarëve
Çekia mbështet proceset integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, në mënyrë të veçantë liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Kjo deklaratë është bërë nga kryetari i Komisionit të Ligjeve në parlamentin cek, Marek Benda, i cili gjatë një takimi me kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli, pasi ka shprehur urimin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ai ka theksuar se rruga e Shqipërisë drejt BE-së të jetë sa më e shkurtër. Ne shprehim mundësinë e mbështetjes së politikës së zgjerimit me të gjitha mundësitë, ka vijuar ai, duke theksuar ndjesinë dhe afrimitetin e Çekisë me Shqipërinë si dy vende të ish- bllokut komunist.
Në lidhje me këtë mendim, Benda tha se vendi i tij është për hapjen e portave të Europës që qytetarët, të rinjtë, djemtë e vajzat të lëvizin të lirë, të mendojnë të lirë. Ndër të tjera në takimin e zhvilluar me kryetaren e kuvendit, deputeti çek e cilësoi koeçidencë të bukur vizitën në Tiranë në këtë moment historik, që për të ka sjellë në memorie momente nostalgjike të anëtarësimit të Çekisë në NATO. NATO, nuk është thjesht një organizatë por është një bashkim shtetesh që jetojnë në paqe e liri e që garantojnë të drejtat dhe liritë e gjithsecilit. Ndaj dhe anëtarësimi i Shqipërisë është një ngjarje e jashtëzakonshme, ka theksuar deputeti Benda. Gjithashtu, gjatë këtij takimi ai konfirmoi faktin se Çekia është shumë e interesuar që Shqipëria dhe vendet e Bllokut të Lindjes të përafrohen me BE-në. Ndërsa nga ana e saj, kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli e ka cilësuar hap të rëndësishëm historik anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pasi pas 17 vitesh ndarje nga regjimi izolues totalitar, ne arritëm ti bashkoheshim familjes që i përkisnim, mes kombeve të lira, ka theksuar, kryetarja e kuvendit, sipas së cilës tashmë në politikën e jashtme prioritare është liberalizimi i vizave, sepse shqiptarët meritojnë të lëvizin të lirë. Energjia dhe optimizmi i qytetarëve shqiptarë, vokacioni i tyre perëndimor kanë shërbyer si motor për ecjen tonë përpara, theksoi ajo. Duke biseduar për bashkëpunimin ekonomik Topalli shprehu kënaqësinë që një kopani çeke ka privatizuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri dhe uroi që kësaj kompanie ti bashkëngjiten të tjera nga vendi mik çek. Më tej biseda u ndal në rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe shkëmbimin e përvojës në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.