E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen dy qendra droge, arrestohen tre furnizues

Tiranë

Dy operacione antidrogë janë realizuar nga policia e kryeqytetit, duke vënë në pranga tre furnizues kanabisi. Një qendër e furnizimit ishte në një servis pranë “Zogut të Zi”, ndërkohë që tjetra ishte te klubi i sportit “Partizani”. Burimet policore bënë të ditur se nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës u krye arrestimi i Leonard Dodës, 23 vjeç, dhe Dritan Zanës, 33 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse rreth orës 14:00, në rrugën “Don Bosko”, Dritan Zana është kapur në flagrancë me qese me një sasi bime narkotike të llojit “kanabis”, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në banesën e Leonard Dodës u gjet një sasi bime narkotike e futur në qese plastmasi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia prej 151 gramë kanabis. Ndërsa operacioni i dytë u realizua te rruga “Komuna e Parisit”, ku u arrestua Përparim Lika, 23 vjeç. Ai u kap me 100 gramë kanabis, që e kishte ndarë në 35 doza. Burimet nga policia shpjeguan se Antidroga e kryeqytetit zbuloi se ai shiste drogë për shpërndarësit, të cilët takoheshin në palestër, te klubi i sportit “Partizani”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›